Nga Agron Hoti
Kosova sa një lagje e New York-ut ka mbi supe Gjykatën Speciale për krime të pretenduara lufte, e cila edhe alamet shtete do t’i kishte dërmuar. Në anën tjetër, moszgjidhja e problemit me Serbi ka paralizuar jetën politike dhe ekonomike në vend, ku askush më s’na e çel derën për investime dhe për asgjë.
Çdo qeveri që po vjen, tërë energjinë po e harxhon duke u marrë Serbi. Sa më shumë që po e shtyjmë problemin me Serbi aq më i madh po na bëhet. Kështu, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe u rrit në Zajednicë dhe nga Zajednica në Samoupravnicë (autonomi për serbët e veriut). Edhe Zajednicën (Asociacionin) edhe Samoupravnicën (Autonominë) i nënshkruan me dy duart e veta politikanët e Kosovës, pavarësisht që po mundohen t’ua shesin qytetarëve sapunin për samun (bukë).
Përçarja brutale brenda Kosovës dhe diasporës përbën dasëm për Serbi e Rusi; këto të fundit po i fryjnë edhe më shumë përçarjes sonë. E dihet që Serbia e Rusia janë të interesuara që problemi Kosovë-Serbi mos të zgjidhet kurrë, sepse po e shohin që humbëse në secilin variant po del të jetë Kosova, sepse mu për këtë arsye rinia e profesionistët kanë kapur kokën në dorë dhe po ikin nga paperspektiva ekonomike dhe pasiguria sociale që po sjell moszgjidhja e problemit me Serbi.
Pastaj, po kjo Kosovë, kurrë më të këqija se sot s’i ka pasur raportet me shqiptarët në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës. Amerika na i ka mbyllur dyert. E sikur të mos na mjaftonin të gjitha këto, po kjo Kosovë është futur edhe nën izolim dhe sanksione perëndimore për shkak të politikave tona të papërgjeshme.
Mjerisht, çmimet po rriten çdo muaj e më shumë, përfshirë çmimin e rrymës. Jeta institucionale dhe biznesore pothuajse është paralizuar e tëra. Dhe rezultati sigurisht që është ky: Shpopullimi, pra shkretimi, i fshatrave dhe qyteteve, po ndodh me shpejtësi dhe kjo po e përmbush ëndrrën e kahmotshme serbe e ruse të zbrazjes së Kosovës nga shqiptarët.
Ndërkohë, politika jonë (pozitë e opozitë), që ka bërë lekë edhe për 1000 vite, po sillet sikur nuk po ndodh asgjë, ka zgjedhur të merret me qetësi gati të padurueshme me numërim të ca cukla votash përballë një bote përreth që po ndryshon me shpejtësi drite. E pyetja që duhet shtruar është kjo: Edhe sa rënë mund të çojë Kosova?