Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Edhe dy ditë kohë, a do të aplikojë Lista Serbe për certifikim në KQZ

Edhe dy ditë kohë, a do të aplikojë Lista Serbe për certifikim në KQZ

Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhjet në Veri. Të njëjtat zgjedhje u patën caktuar për 18 dhjetor, mirëpo për shkak të tensioneve në Veri, ato u shtynë për gjashtë muaj. Për të marrë pjesë në zgjedhje, partia kryesore e serbëve, Lista Serbe, në nëntor kishte paraqitur dy kushte, tërheqjen e vendimit për targat dhe nisja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Çështja e targave u zgjodh, derisa të shtunën në Ohër, Kosova dhe Serbia arritën ujdi për aneksin e zbatimit të marrëveshjes mbi normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi, ku u përfshi asociacioni, me një term tjetër – vetmenaxhim. Kurti tha se nuk kanë diskutuar për zgjedhjet në Ohër, ndërsa Lista Serbe ende nuk ka aplikuar për certifikim, për çka afati është i hapur deri më 22 mars.

Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhjet për kryetarë të komunave në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.

Mospjesëmarrja e serbëve në zgjedhje e rrezikon këtë proces, pasi për shkak të barrikadave të vendosura nga ta, zgjedhjet u shtynë nga dhjetori në prill. Për të marrë pjesë në zgjedhje, në nëntor, Lista Serbe kishte kërkuar tërheqjen e vendimit për targat dhe krijimin e asociacionit.

Çështja e targave është zgjidhur, pasi më 23 nëntor të vitit të kaluar, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviqi, arritën marrëveshje për targat.

Ndërsa sa i përket krijimit të asociacionit, u diskutua të shtunën në Ohër. Atje kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq u dakorduan për aneksin e zbatimit të marrëveshjes mbi normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Në nenin 7 të këtij aneksi thuhet se Kosova do të fillojë negociatat për të krijuar aranzhime dhe garanci specifike për të siguruar nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga BE-ja lehtësuese”.

Meqë iu plotësuan kushtet, Lista Serbe ka kohë deri më 22 mars që të aplikojë për certifikim. Mirëpo deri më tani, nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Express se nga 9 marsi deri më sot nuk kanë pranuar aplikime të reja.

“Duke filluar nga data 9 mars dhe deri më sot (e hënë, 20 mars 2023, 13:00) nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga ndonjë subjekt politik për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe në zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill”, tha Elezi.

Ndërkaq, anëtarja e kësaj partie në KQZ, Gordana Laban Zuvic, tha se nuk mund të prononcohet rreth mundësisë së (mos)pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje.

Zgjedhjet në Veri nuk ishin temë e diskutimit në Ohër

Zgjedhjet, kryeministri Kurti, tha se nuk kanë qenë pjesë e diskutimit në Ohër.

Ai tha se kjo është punë e brendshme e institucioneve në Kosovë, derisa shtoi se do t’i marrin të gjitha vendimet e domosdoshme që zgjedhjet të organizohen sa më mirë.

“Sa i përket zgjedhjeve në Kosovë, sigurisht që nuk kemi diskutuar, këto janë punët e brendshme të institucioneve në Kosovë dhe ne do t’i marrim të gjitha vendimet të cilat janë të domosdoshme që sa më mirë të organizohen ato zgjedhje. Më vjen shumë keq që më 5 nëntor të vitit të kaluar, Beogradi urdhëroi që këta deputetë të Listës Serbe të japin dorëheqje, dorëheqje kolektive dhe në të njëjtën kohë më shumë se 400 policë në pjesën veriore të Kosovës dhe në të njëjtën kohë katër kryetarë komunash atje, mendoj se ishte gabim dhe nuk mund te jesh politikan autentik dhe të përfaqësosh qytetaret nëse fillon me dorëheqje kolektive vetëm për atë se dikush nga Beogradi te ka urdhëruar, do të thotë që ata njerëz do të duhej që t’i përfaqësojnë qytetaret dhe t’u shërbejnë qytetareve dhe jo një njeriu në një shtet tjetër”, tha ai.

Lëvizja e afatit për aplikim për certifikim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 8 shkurt, miratoi aktivitetet dhe planin operacional për zgjedhjet e 23 prillit që pritet të mbahen në katër komunat në Veri. Sipas këtij vendimi, afati për të aplikuar për certifikim ishte deri më 18 mars.

Mirëpo, në mbledhjen e 9 marsit, KQZ mori vendim për shtyrjen e afatit për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që synojnë të garojnë në zgjedhjet e 23 prillit. Në njoftim thuhet se kjo është bërë me qëllim që të ketë kohë më të gjatë për partitë që të aplikojnë për pjesëmarrje.

“Sipas vendimit të KQZ-së, afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në këto zgjedhje është ndryshuar. Ky afat, sipas vendimit të ndryshuar të KQZ-së, do të përfundojë më 22 mars 2023 dhe u mor me qëllim të krijimit të një kohë më të gjatë në dispozicion të subjekteve politike për të aplikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

/TV Arbëria

Powered by WordPress