Publicistja Ardita Shkodra ka publikuar një reagim të ashpër ndaj Halil Gecit, duke ngritur një sërë akuzash për privatizime të dyshimta, pasuri të pashpjeguar dhe mungesë kontributi gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Sipas Shkodrës, Halil Geci në vitin 2005 kishte privatizuar fabrikën “Përparimi LLC” në Skenderaj për shumën prej 1.2 milionë euro, ndërsa më pas, sipas dokumenteve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), ai dhe rrethi i tij kanë privatizuar mbi 2 milionë metra katrorë tokë bujqësore me vlerë rreth 155 mijë euro, si dhe parcela të tjera me vlerë 200 mijë euro dhe 14 mijë euro në vitin 2011.
Autorja thekson se këto privatizime janë të dokumentuara në AKP dhe ngre dyshime serioze për mënyrën se si është krijuar kjo pasuri.
Në reagimin e saj, Shkodra përmend edhe një rast të vitit 1989, duke e quajtur “të çuditshëm”, ku pretendon se Halil Geci kishte privatizuar zyrat e ndërmarrjes shoqërore “LUX” në Skenderaj, në një kohë kur Kosova ishte ende pjesë e sistemit socialist jugosllav.
Ajo ngre pyetje publike mbi aktivitetet e tij në Kroaci dhe burimin real të pasurisë, duke kërkuar transparencë.
Në aspektin e luftës, Shkodra e akuzon Gecin se, megjithëse kishte armë që nga dhjetori i vitit 1991, nuk i kishte dalë në ndihmë familjes Jashari gjatë sulmeve serbe, duke shtuar se ai dhe rrethi i tij kishin qëndruar pasivë, deri sa u ishte kërkuar ndihmë nga Osman Geci dhe Hashim Thaçi.
Një pjesë e reagimit i kushtohet edhe çështjeve familjare. Sipas Shkodrës, Halil Geci nuk e përkujton asnjëherë publikisht babain e tij, Adem Geci, duke ngritur pyetje mbi rrethanat e vdekjes së tij dhe konfliktet familjare për prona, të cilat, sipas saj, kanë çuar në një tragjedi.
Autorja e cilëson Adem Gecin si njeri të mirë dhe patriot, duke bërë dallim të qartë mes tij dhe djalit të tij, për të cilin thotë se shpesh shpif kundër figurave të luftës, veçanërisht ndaj Hashim Thaçit, krahut të luftës dhe subjekteve politike të dala nga ajo periudhë.
Shkodra sfidon publikisht Halil Gecin që të sjellë qoftë edhe një dëshmi për kontribut të drejtpërdrejtë në luftë, duke paralajmëruar se është në proces të sigurimit të raportimeve të mediave sllovene dhe kroate të viteve 1988–1989, për të cilat thotë se do të flasë vetëm pasi t’i ketë në dorë.
Në përfundim, ajo akuzon edhe Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti se janë në dijeni të këtyre fakteve, por sipas saj, i anashkalojnë për shkak të interesave politike dhe propagandës kundër figurave të luftës.