Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > E shpëton Ukraina Kosovën?

E shpëton Ukraina Kosovën?

Shkruan Agron Hoti

Më 9-11 korrik të këtij do të mbahet në Uashington Samiti i NATO-s që do të jetë edhe 75 vjetori i themelimit të NATO-s. Në këtë Samit ndër temat kryesore do të jetë gatishmëria e NATO-s për ta pranuar Ukrainën në gjirin e saj. Në qoftë se Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s, atëherë ruajtja e tërësisë territoriale të saj do të jetë top prioritet i NATO-s. Mosndarja e Ukrainës do ta godasë Rusinë e me këtë edhe Serbinë që të mos ta ndajnë në vija etnike Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën.

Parimisht, Serbia është e interesuar që çështja e Kosovës të mos zgjidhet kurrë, sepse pafundësia e moszgjidhjes së problemit e bën humbëse vetëm Kosovën. Prandaj, Serbia po i përdor hapat e njëanshëm të Kosovës në veri për të na ekspozuar si refuzues të Perëndimit. Deri me tani ia ka dalë me sukses, ngase ajo po afrohet me Perëndimin, ndërsa Kosova po largohet. Fakt për këtë janë sanksionet perëndimore kundër Kosovës.

Nëse jo pafundësisht, Serbia atëherë do të mundohet që çështja e Kosovës të mos zgjidhet së paku jo deri në epilogun e luftës Ukrainë-Rusi. Serbia llogarit që nëse do të ndahej Ukraina, atëherë sipas saj do të mund të ndahej në vija etnike edhe Kosova dhe Bosnja e Hercegovina. E lufta në Ukrainë po bëhet për ta lodhur Rusinë derisa aty të shpërthenë pakënaqësitë nga brenda. Lodhja e Rusisë do të marrë kohë. 20 vite (1955-1975) i ishin dashur SHBA luftë në Vietnam për ta lodhur ekonomikisht aq shumë Kinën sa kjo në fund të viteve të 70-ta ishte detyruar të kthehej kah SHBA për ta izoluar BRSS-në si prijëse e komunizmit në glob.

Sapo SHBA në 1979 kishte ndërtuar raporte diplomatike me Kinën, menjëherë i ishte vërsulur BRSS-së për t’i dhënë goditjen përfundimtare. Kështu, 10 vite (1979-1989) i ishin dashur SHBA-së mbështetje Afganistanit për ta rrëzuar komunizmin dhe vetë BRSS-në. Rënien e BRSS-së në fillim të viteve të 90-ta SHBA e shfrytëzoi me përpikmëri për çlirimin e Evropës Lindore për ta integruar pastaj të tërën në NATO e BE. Edhe Kosova u çlirua në kontekst të çlirimit të Evropës Lindore nga Rusia. Çlirimi i Evropës Lindore nga BRSS/Rusia zgjati 10 vite (1991-2001), filloi në Slloveni dhe përfundoi në Maqedoni.

Meqë Rusia çlirimin e Evropës Lindore po e shihte si humbje të ndikimit të saj në Evropë, atëherë ajo për ta shpërqendruar rritjen e ndikimit të SHBA-së në Evropë, po e instrumentalizonte Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore duke i nxitur këto dy rajone për terrorizëm kundër SHBA-së. 20 vite (2001-2021) iu deshën SHBA-së më pas për ta mposhtur terrorizmin prapa të cilit po fshihej një aleancë e Rusisë me Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore. Përqendrimi i madh i SHBA-së në Azi (Lindje të Mesme dhe Azi Qendrore) po i sillte avantazhe Rusisë për ta futur Evropën nën kontroll ekonomik dhe politik. Në shkurt 2014 Rusia anekson Krimenë që ishte pjesë e Ukrainës.

Menjëherë në shtator 2014 SHBA në Uells të Britanisë së Madhe u kishte kërkuar shteteve evropiane që t’i rrisnin shpenzimet ushtarake përballë një Rusie gjithnjë e më agresive. Në të njëjtin vit, pra në 2014 Kosova goditet nga Gjykata Speciale dhe minimi i demokracisë, ku humbësit e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë për llogari të evropianëve të nxitur nga rusët, po mundoheshin t’ua merrnin pushtetin fituesve të zgjedhjeve.

Për ta parandaluar rrëshqitjen e BE-së kah Rusia, Presidenti Obama kishte qenë i pari që kishte bërë thirrje për rritje të shpenzimeve ushtarake për vendet e BE-së si dhe kishte shprehur shqetësime mbi lidhjet energjetike në rritje të Gjermanisë dhe tërë BE-së me Rusinë. Edhe Presidenti Trump më pas ashtu sikurse edhe Biden ua kishin përsëritur në vazhdimësi evropianëve kërkesën për ndërprerjen importit të energjisë ruse dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake. Kjo po haste në vesh të shurdhët të evropianëve, të cilët nga viti 2000 e deri në 2022 çdo vit e më shumë po rrëshqisnin në kontrolli rus.

Meqë SHBA ia kishte dalë ta reduktonte në minimum furinë e terrorizmit duke e shkatërruar aleancën e Rusisë me Lindje të Mesme dhe Azi Qendrore, atëherë në fund të vitit 2021 SHBA me shpejtësi qe tërhehur nga Afganistani për t’u përgatitur përballë një Rusie që po synonte pushtimin e Evropës. Këmbëngulja e SHBA për ta futur Ukrainën në BE e NATO u pa nga Rusia si kërcënim për sigurinë e saj, kështu që kjo e fundit në shkurt 2022 bëri agresion të hapur ushtarak në Ukrainë. Agresioni rus ktheu evropianët kah SHBA, prishi aleancën BE-Rusi të drejtuar nga Rusia, dhe Ukraina i rezistoi pushtimin të tërësishëm.

Evropianët tanimë u detyruan të rrisnin shpenzimet ushtarake edhe pse ende jo të gjitha shtetet e kanë arritur cakun e kërkuar nga SHBA për mbi 2% të GDP-së nga secili shtet. Një Evropë e bashkuar me SHBA-të do të ia dalë ta lodhë gradualisht Rusinë. E lodhja do të marrë kohë së paku 10 vite. Prandaj, Serbia llogarit që ta mbajë Kosovën kështu siç është edhe për së paku 10 vite sa do të mund të zgjasë lufta në Ukrainë. Por, Kosova e ka jetike të dalë sa më shpejtë nga kurthi ku e ka futur Serbia. Sa më shpejtë që do të dalim nga ky kurth aq më mirë, sa më vonë që dalim aq më shumë do të zbrazet Kosova nga rinia nga paperspektiva ekonomike që po sjell pasiguri sociale.

Prandaj, siç e thashë edhe më lartë, futja e Ukrainës në NATO dhe më pas në BE i garanton asaj tërësinë territoriale. E ruajtja territoriale e Ukrainës do ta ruajë tërësinë territoriale të Kosovës.

Themes by WordPress