E lindur 36 vite më parë pa një barkushe në zemër, tani është bërë nënë e binjakëve.
Nëna dhe binjakët gëzojnë shëndet të plotë.
Lindja e binjakëve, të dy me peshë 1.4 kg, u bë me prerje cezariane në Poliklinikën Gemelli në javën e 34-të të shtatzënisë, pak ditë përpara datës së pritshme të lindjes.
Pas vetëm dhjetë ditësh shtrimi në spital, sipas Spitalit Bambino Gesu, nëna dhe fëmijët mundën të ktheheshin në shtëpi. Nëna e binjakëve ka lindur me një zemër që i mungon barkushja e djathtë, pjesa e muskujve të zemrës që shtyn gjakun drejt mushkërive për oksigjenim.
Është një sëmundje komplekse kongjenitale e zemrës që kërkon një sërë ndërhyrjesh korrigjuese, brenda viteve të para të jetës.
Në këtë rast specifik, pacientja iu nënshtrua një operacioni të vetëm në moshën 4-vjeçare për të ndërtuar një sistem qarkullimi alternativ, të quajtur Fontan, i cili sjell gjak nga vena direkt në mushkëri, pa kaluar nëpër zemër.
Qarkullimi i mbështetur nga një barkushe e vetme kërkon terapi dhe kontrolle të rrepta gjatë gjithë jetës; në 5% të rasteve arrihet transplanti.