Komuniteti shqiptar në Kanada është tronditur nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të mjekut dhe profesorit të njohur Agron Alija, i cili humbi jetën si pasojë e një aksidenti me veturë.
Lajmin e hidhur e ka konfirmuar Ambasada e Shqipërisë në Kanada, ndërsa ambasadorja Artemis Kosta Malo ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e të ndjerit.
“Me dhimbje të thellë mësuam lajmin tronditës për ndarjen e parakohshme nga jeta të Dr. Agron Alija. Në emër të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kanada dhe në emrin tim personal, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Dr. Agron Alija për këtë humbje të pazëvendësueshme,” ka shkruar ambasadorja Malo në rrjetet sociale.
Dr. Agron Alija shërbeu me përkushtim si mjek dhe Profesor i Asociuar në Shkollën e Mjekësisë dhe Stomatologjisë “Schulich” në qytetin e London, provinca e Ontarios. Ai njihej si një figurë e respektuar e komunitetit shqiptar në Kanada dhe një profesionist i dalluar në fushën e mjekësisë.
Ambasadorja Malo e përshkroi Alijën si një njeri me shpirt fisnik, që kontribuoi me dashuri, përkushtim dhe integritet në shërbim të njerëzve, sidomos në qytetet Hamilton dhe London, ku ai jetoi dhe punoi.
“Humbja e tij la një boshllëk të madh jo vetëm për familjen, por edhe për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin e ta vlerësonin. Kujtimi për të do të mbetet përgjithmonë në zemrat tona,” shkruan më tej ambasadorja.