Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > E mira e jashtëligjshme e pushtetit

E mira e jashtëligjshme e pushtetit

 Shkruan: Afrim Kasolli

 

 

Ditët e fundit u karakterizuan nga artileri e re e ofendimeve të eksponentëve të Vetëvendosjes ndaj institucioneve juridike, me theks kundër Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës Supreme. Kjo valë e re e sulmeve politike ndaj gjyqësorit, filloi pasi ky i fundit i kontestojë disa nga vendimet e Qeverisë në detyrë. E para ka të bëjë nisjen e hetimeve për ndërtimin e dy urave te reja në qytetin e Mitrovicës, njëra për këmbësor dhe tjetra për qarkullim të automjeteve.

Sipas njoftimit të Prokurorisë ky “hetim ka të bëjë në lidhje më ligjshmërinë e kontratës për ndërtimin e urave në fjalë, e i cili ka për qëllim “garantimin i një administrimi të drejtë dhe ligjor të resurseve publike”, përfundon komunikata. Kjo kontratë kap vlerën e afro 3 milionë eurove dhe do të ndërtohen nga kompania “Eurokos Holding. Kurse ndarja e saj është bërë sipas modelit të kontratave një burimore. Qeveria në e detyrë është arsyetuar se ky projekt është iniciuar nga Bordi i Përbashkët i Mitrovicës. Pas pak kumtimit të hetimeve nga Prokuroria Speciale, filluan nga reagimet nga eksponentit e Vetëvendosjes. Sipas tyre, kjo nismë e organit të aktakuzës shkon në favor të atyre që nuk e duan shtrirjen sovranitetin e shtetit në veri, bashkimin e qytetit të Mitrovicës, lirinë e lëvizjes etj. Duke qenë se ky interes është suprem, atëherë çdo gjë tjetër duhet t’i nënshtrohet këtij qëllimi. Për më shumë ky veprim i Prokurorisë Speciale u iniciua vetëm “pas dështimit të peticionit të Listës Serbe” për ndalimin e ndërtimit të atyre urave. Pra një lloj konspiracioni i strukturave të dorës së zgjatur të Beogradit dhe sistemit juridik në vend. E njëjta logjikë e përplasjeve e ka veçuar edhe vendimin e Gjykatës Supreme.

Kjo e fundit ka konstatuar se “miratimi i akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese”. Sipas arsyetimi të këtij aktvendimi “Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja”. Për më tepër, “sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Për pasojë, nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese”

Ky kontestim morri shkas nga udhëzimi administrativ i nxjerrë nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, lidhur me “shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronike fiskalë”. Për qeverinë në detyrë, ky aktgjykim është arbitrar, kontradiktor dhe që cenon “parimin e sigurisë juridike dhe funksionimit të vazhdueshëm të institucioneve të ekzekutivit”. Kurse sipas vetë ministrit në fjalë ai është i motivuar nga interesi për “ta mbrojtur monopolin e arkave fiskale me kosto enorme për bizneset tatimpaguese dhe që si i tillë daton që nga koha e Bedri Hmazës”. Pikërisht kur i krijuan kushtet për ta shfuqizuar atë, Gjykata Supreme e suspendoi demonoplizimin. Edhe pse i njëjti ka pasur kohë për katër vite të plota ta bëjë një gjë të tillë, por ka dështuar Megjithatë, logjika është e njëjtë. Sipas arsyetimit të heshtur e të hapur të zyrtarëve të këtij pushteti diskutabil nga aspekti legal e ligjor, veprime të tilla kanë supermaci mbi ligjin, ngase ato e mbrojnë një të mirë më të madhe shoqërore dhe publike. Prandaj, i pari duhet t’i nënshtrohet të dytës.

Është kjo mendësi derivon nga traditë napoleonike, sipas së cilës “ai që i shpëton shtetin e tij nuk e shkel asnjë ligj” (He who saves his country does not violate any law). Sentencë që zakonisht përdoret për legjitimuar veprime autoritare dhe minimin e sundimit të ligjit. Kurse për dallim nga kjo qasje, tradita liberale kushtetuese e artikuluar nga njëri prej etërve themeltar të saj John Locke, me të drejtë pohon se “nuk mund të ketë liri pa ligj” (where there is no law, there is no freedom)