Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > E djathta ekstreme në Evropë me rritje në 2024

E djathta ekstreme në Evropë me rritje në 2024

Mbështetja për partitë e ekstremit të djathtë në Evropë vazhdoi të rritej në vitin 2024. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Londër, Henry Ridgwell, analistët thonë se kjo prirje u nxit nga shqetësimet për imigracionin, inflacionin dhe luftën në Ukrainë.

Zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Evropian në qershor rezultuan me një rritje të mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë në disa shtete anëtare, megjithëse partitë e qendrës vazhdojnë të mbajnë pushtetin në institucionet e BE-së në Bruksel.

Partia Bashkimi Kombëtar, e drejtuar nga Marine Le Pen fitoi pjesën më të madhe të votave në Francë, apo 31 për qind të tyre, për zgjedhjet parlamentare të BE-së. Ajo e bëri të qartë ambicien e saj për të fituar pushtetin në vetë Francën.

“Ne jemi gati të bëjmë ndryshime në vend. Jemi të gatshëm të mbrojmë interesat e popullit francez dhe t’i japim fund emigracionit masiv”, tha ajo.

Presidenti Emmanuel Macron mori vendimin tronditës për të shpërndarë parlamentin dhe për të thirrur zgjedhje të përgjithshme.

Partitë e majta dhe të qendrës formuan një aleancë për të bllokuar ardhjen e partisë së zonjës Le Pen në pushtet.

Por qeveria e re humbi një votëbesim në fillim të dhjetorit.

Marine Le Pen ka problemet e saj, pasi ajo për përballet me një gjyq për korrupsion, që mund t’i dëmtojë ambiciet e saj politike.

Në Gjermani, fuqia më e madhe ekonomike e Evropës, partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë doli e dyta në zgjedhjet për parlamentin e BE-së, duke i vendosur socialdemokratët e kancelarit Olaf Scholz në vendin e tretë.

“Ne duhet të shqetësohemi për votën për partitë populiste të krahut të djathtë këtu dhe në vendet e tjera evropiane. Ne kurrë nuk duhet të mësohemi me këtë dhe duhet të jetë gjithmonë misioni ynë të frenojmë përparimin e tyre”, tha kancelari Scholz.

Kjo thirrje nuk mori vëmendjen e duhur. Në shtator, Alternativa për Gjermaninë fitoi zgjedhjet shtetërore për herë të parë në Turingi dhe doli e dyta në Saksoni.

Analistët thanë se çështja e emigracionit ishte thelbësore për suksesin e saj.

“Edhe inflacioni dhe rritja e çmimeve në vitet e fundit mund të kenë luajtur rol. Por unë mendoj se çështja e emigracionit është vërtetë pakënaqësia kryesore e votuesve”, thotë Guntram Wolff, Drejtor i Institutit “Bruegel”.

Koalicioni qeverisës i drejtuar nga kancelari Scholz u rrëzua në nëntor dhe Gjermania do të organizojë zgjedhje të parakohshme në muajin shkurt.

Alternativa për Gjermaninë po bën fushatë, duke premtuar uljen e emigracionit dhe ndërprerjen e mbështetjes ushtarake për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

“Ne duam paqe në Ukrainë. Ne nuk duam të dërgojmë armë, tanke dhe raketa atje”, thotë Alice Weidel, kryetare e Partisë Alternativa për Gjermaninë.

Në Austri, Partia Liria e ekstremit të djathtë fitoi 28 për qind të votave, duke dalë e para në zgjedhjet e shtatorit atje. Por të gjitha partitë e tjera përjashtuan mundësinë e formimit të një koalicioni me Partinë Liria, kështu që ajo u mbajt jashtë pushtetit8.

Në vitin 2025, analistët thonë se vëmendja do të kthehet tek zhvillimet politike në Francë dhe Gjermani, ndërsa Evropa përgatitet për rikthimin e Presidentit të zgjedhur Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar. /VOA