Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kulturë-Histori > E dimë ne, që në Turqi ka ende shqiptarë ortodoks?

E dimë ne, që në Turqi ka ende shqiptarë ortodoks?

Shkruan: Fahri XHARRA

Më duhet të thërras në ndihmë hyjnitë, sepse vetëm ato janë gjendje të ndriçojnë rrugën tonë kombëtare. Nga ajo që shihet dhe ajo që dëgjohet, kemi pak shpresa që ne të jemi në gjëndje për diçka më shumë se sa këto që i kemi . Nuk e kam nga ajo që i kam humbur shpresat, por dita e mirë shihet në mëngjes. Shikoni , vitëve të fundit nga nxemja globale kemi shumë ndryshime klimatike por edhe nga ajo që shihet se si po ecë kombi, nuk parashoh një pasditë të bukur edhe pse mëngjesi ishte plot diell.

Të iu them të drejtën as që më kishte shkuar mendja që në Turqi kanë mbetur shqiptarër ortodoks sepse më 30 janar 1923 në Konferencën e Lozanës ishte nënshkruar një Konventë (Traktat) si një marrëveshje e veçantë ndërmjet Greqisë dhe Turqisë, dhe reyultatet e asaj konvente pak a shumë i dimë.
Nëse kërkohet në google ndonjë shkrim apo libër për temën që e kam në duar, e besoni apo jo janë vetëm dy të tilla që ndoshta siperfaqësisht e prekin temën shumë me vlerë . Të thuash që ka shqiptar musliman në Turqi, kjo dihet . Dihet bile edhe me numër përafërsisht të saktë.

Shqiptarët ortodoks të Turqisë, pra ata që kanë mbetur pas vendimeve të Konferencës së permendur të Lozanës janë dhe janë në një pozitë kombëtare shumë të vështirë. E them të vështirë sipas botkuptimeve të mia, ashtu si e shoh kombin. Ata janë në mesin e dy zjarreve, të Kishes Ortodokse të Stambollit që me çdo kusht i do për asimilim në grek, dhe poltikës turke që i shërbejnë si Joker kundër Greqisë .

Patriarkana e Fanarit kishte Sinodin, që përbëhej prej 12 dhespotëve. Shqiptarët nuk kishin asnjë përfaqësues në të. Për të lehtësuar konvertimin e shqiptarëve në shtetas grekë, qeveria greke mori një vendim të posaçem. Ajo udhëzoi konsullatën greke në Turqi që t`u jepte shtetësinë greke edhe atyre personave, të cilët nuk kishin jetuar fare në Greqi, gjë që më parë kishte qenë krejtësisht e palejueshme. Ky vendim fshihte qëllime të largëta politike. Politika greke përfitoi edhe nga statusi jo i qartë dhe i pafavorshëm i emigracionit ortodoks shqiptar në Turqi. Në bazë të legjislacionit turk, qeveria turke nuk u jepte shtetësinë turke shqiptarëve ortodoksë. Kjo ishte njëra nga arsyet që, shumë shqiptarë kishin marrë shtetësinë greke. Nga martesat e disa shqiptarëve ortodoksë me gra, që kishin shtetësinë greke, kishin ndodhur shumë konflikte pronësie. Gratë me shtetësi greke ishin ndarë nga burrat dhe u kishin marrë pasurinë e tyre, duke i lënë pa asgjë. Për të gjetur një rrugëdalje, shqiptarët po shtyheshin të merrnin shtetësinë greke, sepse vetëm me shtetësi shqiptare atyre nuk u njihej e drejta e trashëgimit apo zotërimit të pasurisë. Në emigracionin ortodoks shqiptar ishin krijuar kushte që të depërtonte influenca greke dhe fëmijët e tyre frekuentonin shkollat greke. “ ( shkruan Prof. Beqir Meta, Shqipëria dhe Greqia (1949-1990)

Për të plotësuar ndjenjat dhe dëshirat e gjithë emigracionit shqiptar ortodoks në Turqi, një grup shqiptarësh ortodoksë në dhjetor të vitit 1958, i kërkuan qeverisë turke lejen që të krijonin një komunitet fetar të ndarë nga Patriarkana e Fanarit. Mundësitë për krijimin e këtij komuniteti ekzistonin, për arsye se në Turqi kishin patur kishat e tyre edhe emigrantë të kombësive të tjera, si rusët, grekët, bullgarët etj. Sipas të dhënave, që kishte ambasada shqiptare, në Turqi dhe kryesisht në Stamboll gjendeshin 15000 shqiptarë ortodoksë. Ky numër ishte aq i rëndësishëm, saqë po të krijohej kisha shqiptare do të rrezikonte ekzistencën e Patriarkut grek në Stamboll.” ( po, aty)

Shikoni një tri trik të Stambollit ” Sipas një marrëveshje midis Turqisë dhe Greqisë, ai qëndronte atje në bazë të një numri të caktuar besimtarësh ortodoksë. Ky numër plotësohej pikërisht me shqiptarët ortodoksë, të cilët nga kisha greke konsideroheshin qëllimisht si grekë. “

Pas acarimit të krizës së Qipros (1960 ), autoritetet turke, në kuadrin e masave për të izoluar dhe ngushtuar rrezen e aktivitetit të Patriarkanës, dhanë sinjale se do t`i përkrahnin ortodoksët shqiptarë me qëllim që t`i shkëpusnin ata nga Patriarkana. Turqit dëshironin largimin e Patrikut grek nga Stambolli.

Funksionarë të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurimit Turk u kërkuan ortodoksëve shqiptarë që të mobilizoheshin për formimin e Komitetit Ortodoks Shqiptar, duke i këshilluar që të mos e lejonin legatën e Shqipërisë të përzihej në këtë çështje dhe të zhvillonte propagandën e saj në koloni .
E shihni lojën dhe interesat e dy anëshme me koloninë shqiptare ortodokse në Turqi ?
Përfaqësuesit e kolonisë shqiptare të Stambollit mendonin se për hapjen e kishës shqiptare duhej marrë më parë pëlqimi i Patrikut të Stambollit. Pa këtë miratim, shqiptarët nuk guxonin të shkonin në kishë, sepse u trembeshin mallkimeve të tij. Megjithkëtë, në fillim të vitit 1962 ata nisën të mblidhnin firmat e nevojshme dhe të kërkonin lejen nga autoritetet turke. Legata shqiptare e mbështeti këtë iniciativë dhe i nxiti drejtuesit e kolonisë të nxitonin për të marrë lejen e çeljes së kishës nga autoritetet turke, në këtë situatë të favorshme të marrëdhënieve të tendosura turko-greke. Hapja e kishës gjykohej si një sukses, i cili do të sillte pastaj hapjen e një shkolle ose kolegji shqiptar. Bukur shumë !
Legata e Shqipërisë, nga ana e saj, dha udhëzime që të shfrytëzohej, pikërisht kjo rrethanë, për të hapur kishën shqiptare. Çudi nga ana e Shqiperisë !

Me këtë që do e lexoni më poshtë do e shihni që shqiptarët ortodoks të Turqisë bëhen pjesë e lojës edhe për interesat e Shqiperisë komuniste ‘ ‘ Në fillim të vitit 1966, interesi i autoriteteve turke për funksionimin normal të KOASH, ishte i lartë. Me nxitjen e tyre, ortodoksët shqiptarë të Stambollit filluan të riaktivizohen dhe të shtonin përpjekjet për gjetjen e priftit shqiptar. Ata arritën një marrëveshje me “Vatrën” për të sjellë një prift nga Amerika. Marrëveshja, gjithashtu, parashikonte që “Vatra” t`i jepte KOASH të Stambollit edhe një ndihmë prej 20.000 dollarësh. Por këtë inciativë e pengoi me vendosmëri qeveria shqiptare, e cila po këmbëngulte në mënyrë të prerë që, prifti të vinte nga Shqipëria dhe të ishte plotësisht nën kontrollin e saj. Komiteti organizator i kishës ftoi nga Amerika priftin Noni. Ai erdhi në Stamboll në vitin 1967, por nuk mundi të qëndrojë, pasi ambasada shqiptare dhe njerëzit e saj në koloninë shqiptare të Turqisë e sulmuan atë, duke e paraqitur si agjent të grekëve dhe të amerikanëve. Ndërkohë, qeveria shqiptare kishte bërë një gjest miqësor ndaj qeverisë turke, duke përkrahur qëndrimin turk për Qipron. ‘ ‘

Qeveria shqiptare nuk dëshironte të ndërmerrte veprime efektive të drejtpërdrejta, duke e diskutuar çështjen e kishës shqiptare dhe të komunitetit ortodoks shqiptar me qeverinë turke, për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët të këtyre problemeve…. Ndërkohë, në vitin 1967, në Shqipëri, u zhvillua fushata kundër fesë dhe institucioneve fetare, e cila e dëmtoi edhe më shumë imazhin dhe pozitat e qeverisë komuniste në emigracionin shqiptar. Qeveria shqiptare bëri edhe veprimin tjetër të gabuar, që i shkatërroi përfundimisht përpjekjet për krijimin e KOASH, në Turqi. Në pranverë të vitit 1969, ajo solli fshehurazi dhe kundër dëshirës së autoriteteve turke, një prift nga Shqipëria. Situata në komunitetin e shqiptarëve ortodoksë u keqësua. Gjithashtu, në vitin 1970 u fuqizua përsëri tendenca e ortodoksëve shqiptarë për t`u larguar në Greqi.

Këtë situatë u përpoq ta shfrytëzonte Patriarkana dhe konsullata greke në Stamboll, të cilat gjatë viteve 1970-1972 e intensifikuan punën dhe propagandën për largimin e shqiptarëve ortodoksë për në Greqi. Në vitet ’60, shqiptarët e Turqisë patën mundësi të mira për të krijuar kishën dhe komunitetin e tyre, por këto mundësi, siç e përshkruam më lart, nuk u shfrytëzuan. Një rol negativ luajti politika e gabuar klasore e qeverisë komuniste.
Nuk e di sa a ka ngelur më, ndonjë shqiptar ortodoks në Turqi pa u greqizuar ?
Më duhet të thërras në ndihmë hyjnitë, sepse vetëm ato janë gjendje të ndriçojnë rrugën tonë kombëtare. Pajtoheni?

/TV Arbëria

Themes by WordPress