Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > E dhimbshme: Humb jetën 37-vjeçari nga Ferizaj, u vetaksidentua

E dhimbshme: Humb jetën 37-vjeçari nga Ferizaj, u vetaksidentua

Ka humbur jetën tragjikisht 37- vjeçari nga Ferizaj, pas një vetaksidenti me veturë sot rreth orës 7:10, në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, në fshatin Prelezi i Jerlive.

Viktima, Florian Ilazi, sipas Policisë, dyshohet se me të arritur në fshatin Prelez i Jerlive, e ka humbur kontrollin mbi drejtimin e veturës, me çrast ka kaluar në anën e majtë të rrugës, duke goditur fillimisht ulësen në pikëstacionin e autobusëve, për tu ndalur në rrethojat e një autosalloni.

Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e viktimës, të cilët njoftuan dhe se varrimi do të bëhet në varrezat e fshatit Prelez i Jerlive.

“Njoftojmë te gjithë miqtë dhe dashamirët, se më datën 04.01.2025 ,papritmas u nda nga jeta vllau jon Florian Ilazi. Varrimi i të ndjerit bëhet sot me datën 04.01.2025 Në varrezat e Fshatit Prelez i Jerlive ne orën 15:00”, thuhet në njoftimin e tyre.

Zëdhënës i Policisë së Kosovës në Ferizaj, Kanun Veseli tha se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi i mjekëve nga Qendra Emergjente e Ferizajt që ishin në vendngjarje.

“Në vendin e aksidentit menjëherë kanë dalë ekipe të policisë së Njësisë së Komunikacionit Rrugor, ndërsa hetuesit e aksidenteve kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes. Nga hetimet e para dyshohet se shoferi i veturës, derisa ishte duke qarkulluar nga Ferizaj në drejtim të Prishtinës, me të arritur në fshatin Prelez i Jerlive, e humb kontrollin mbi drejtimin e veturës dhe kalon në anën e majtë të rrugës, duke goditur fillimisht ulësen në pikëstacionin e busëve dhe ndalet në rrethojat e një autosalloni”, ka thënë Veseli.

Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka dalë edhe ai në vendin e ngjarjes dhe me vendim të tij, trupi i pajetë i është liruar familjarëve.