Shkruan: Afrim Kasolli
Javën e kaluar qëndroi për një vizitë zyrtare i dëerguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Pas takimeve me përfaqësuesit politikë në Prishtinë, diplomati danez ka shkruar në rrjetin e tij social se ka “pasur një takim produktiv me përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, dhe se e ka shtruar si nevojë urgjente zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit më shumë se kurrë më parë. Po ashtu, rruga për integrimin në Bashkimin Evropian kalon nëpërmjet përparimit kuptimplotë në dialog”.
Është fakt se si Kosova ashtu edhe Serbia janë pajtuar nëpërmjet marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel më qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Kuptohet ka edhe kritere tjera, mirëpo është e qartë se kjo agjendë mbetet e bllokuar për aq sa zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk janë të bindur se ka progres në këtë drejtim. Madje, dështimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës është dëshmi e qartë e këtij kushtëzimi.
Megjithatë, është vërteta e plotë është më e komplikuar . Sepse jo vetëm raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkundër retorikës zyrtare të BE-së, por në përgjithësi vet rajoni i Ballkanit Perëndimor as që figuron si interes primar aktual për politikën e Jashtme dhe të sigurisë së Unionit. Takimi eventual i presidentit të SHBA-ve Donald Trump me atë rus, Vladimir Putin për fatin e luftës në Ukrainë, e ka ringjallur frikën e përjashtimit të BE-së dhe vet Ukrainës nga njëra prej çështjeve me sensitive të sigurisë evropiane. E një epilog i tillë do ta zhvleftësonte tej mase peshën gjeopolitike globale të BE-së. Gjithsesi, për ta shmangur një skenar të tillë, atëherë ajo duhet ta dëshmojë vetën se është në gjendje ta mbrojë deri në fund vetveten nga këto pasoja.
Në anën tjetër, ndonëse shumica e institucioneve të këtij entiteti janë në pushim vjetor, megjithatë siç shkruan mediumi Evropa e Lirë, asnjëra nga temat që presin trajtim imediat pas rikthimit ne vendin e punës të burokrateve të BE-së, nuk lidhen me Ballkanin Perëndimor.
Si çështje primare që do të imponohet për trajtim mbetet “zhbllokimi eventual i aseteve të Rusisë. Siç dihet mbi 200 miliardë euro asete të ngrira të Rusisë ndodhen në Bashkimin Evropian që nga shkurti i vitit 2022, kur blloku filloi të vendoste sanksione ndaj Moskës pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Me këtë rast, “shtete anëtare të BE-së, veçanërisht ato në lindje që kanë një qasje më të ashpër ndaj Moskës, kërkojnë që paratë të konfiskohen për të financuar armët për Ukrainën ose për të rimbushur arsenalin e bllokut. Argumenti i tyre është se kjo mund të mbulojë mungesën e mundshme të financimit nga SHBA-ja dhe se është më e drejtë që këto para të Rusisë të përdoren për këtë qëllim, në vend të taksapaguesve evropianë”.
Tema e dytë që do ta dominojë këtë agjendë ka të bëjë me dilemën për ndarjen eventuale të Moldavisë nga Ukraian në rrugën e tyre drejt integrimit në BE.
Si çështje që kërkon trajtim urgjent mbetet e ardhmja e Gjeorgjisë, “Brukseli pritet të vazhdojë këtë vjeshtë përballjen me kthimin prapa të demokracisë në Gjeorgji, dhe disa vendime mund të pasqyrojnë këtë realitet. Komisioni Evropian i ka dërguar një letër Qeverisë gjeorgjiane në korrik, duke i kërkuar që deri në fund të gushtit të përmbushë tetë kushtet e vendosura në fund të vitit 2024 – përfshirë shfuqizimin e Ligjit të diskutueshëm për “agjentët e huaj” dhe paketën po aq të kontestuar ligjore për “vlerat familjare dhe mbrojtjen e të miturve”. Mirëpo edhe sa i përket këtij reagimi mungesa e unitetit evropian ka qenë pengesë madhore për një politikë të përbashkët, për shkak të qëndrimit kundërshtues të Hungarisë dhe Sllovakisë.
Dhe në fund, ndonëse jo për nga rëndësia, mbetet zbatimi i sistemit të ri të udhëtimeve, ku Bashkimi Evropian do të nisë më në fund zbatimin e Sistemit të hyrje-daljeve (EES).
Dinamika të tilla mbase dëshmojnë qartë se refreni i zyrtarëve të BE-së për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor do të na ushqejë opinionin e gjashte shteteve të këtij rajoni në vazhdimësi, por që pak ka gjasa të këtë përparim në atë drejtim. Të vetmit që mund ta realizojnë të ardhmen e tyre evropiane mbase do të jenë ata që edhe ashtu janë duke e bërë tashmë nëpërmjet emigrimit ekonomik.