Liza Gashi, ish-zv.ministre e Punëve të Jashtme ka reaguar pas raportimeve se organizata të cilën e ka drejtuar ajo, Germin, është e përfshirë në përfitimin e jashtëligjshëm të fondeve.
Sipas aktakuzës së ngritur ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, organizata Germin kishte përfituar fonde pa u organizuar thirrja publike.
Gashi ka thënë se ajo nuk është subjekt dhe as palë në asnjë proces gjyqësor që ka të bëjë me këtë çështje.
“Që nga viti 2020, nuk kam ushtruar asnjë funksion apo rol në organizatën GERMIN, në asnjë kapacitet. Po ashtu, nuk kam qenë dhe nuk jam pjesë e asnjë memorandumi të nënshkruar me CARITAS-in, as në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, as si Zëvendësministre dhe as në ndonjë kapacitet tjetër”, ka shkruar Gashi.
Po ashtu ajo ka kërkuar nga mediat që e kanë publikuar lajmin që të kërkojnë falje.