Nenad Rashiqit, udhëheqës i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë sot do t’i drejtohet Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për ta informuar zyrtarisht mbi pretendimet e tij se Lista Serbe po përpiqet të manipulojë votat për të siguruar pushtet absolut.
Rashiq që është edhe ministër në Qeverinë e Kosovës tha dje se ka marë informacione nga bashkëpunëtorët e tij që janë vëzhgues, të cilët janë kontaktuar nga numra të panjohur duke iu ofruar para në këmbim të anulimit të votave të partisë që ai e udhëheq.
“Kjo nuk po ndodh vetëm në një komunë, por në të gjithë Kosovën. Do të shkojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për ta informuar zyrtarisht mbi këto pretendime dhe për të kërkuar më shumë vëmendje mbi manipulimet e mundshme”, tha dje Rashiq.
Për herë të parë që nga themelimi i saj në vitin 2013, Lista Serbe mund të mbetet pa të dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, pasi, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një vend parlamentar mund t’i takojë Nenad Rashiqit, udhëheqës i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Rashiq, në dy vjetët e fundit, ishte ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, i cili e emëroi pasi Lista Serbe doli nga institucionet e Kosovës.
Me 93 për qind të votave të numëruara nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe – partia më e madhe serbe në Kosovë, e cila gëzon mbështetje absolute nga Beogradi zyrtar – siguroi rreth 30.485 vota, ose 3.88 për qind të totalit, ndërsa Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë mori rreth 3.428 vota, ose 0.44 për qind.
Sipas rezultateve aktuale, Lista Serbe e humbi mbështetjen e gati 15 mijë personave, krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Rashiq, në anën tjetër, e rriti mbështetjen për rreth 2.000 vota.
Subjektet tjera politike nga komuniteti serb, që morën pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk do të hyjnë në Kuvendin e Kosovës.
Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit mori rreth 1.700 vota, Lëvizja Popullore Serbe e Branimir Stojanoviqit mori rreth 1.405 vota, Nisma Qytetare Drejtësia Popullore mori rreth 597 vota dhe Partia e Serbëve të Kosovës mori 348 vota.