Lajmi i mirë është se nuk pati asnjë viktimë, ndërsa 21 persona u dërguan në spitale. Hetimi për shkaqet e aksidentit është në vijim, ku ekspertët po shqyrtojnë dy skenarë kryesorë: kushtet e pafavorshme të motit dhe mundësinë që avioni të ketë goditur një objekt në pistë.

Shefi i zjarrfikësve të aeroportit tha se, megjithëse kishte reshje të mëdha bore, pista ishte e thatë në momentin e aksidentit.
Siç raporton BBC, sipas ekspertëve të aeronautikës, avioni mund të ketë tentuar një ulje “manovër me gaforre” për shkak të erërave të forta, një taktikë që kërkon saktësi ekstreme. Megjithatë, krahu i djathtë duket se ka goditur i pari pistën, duke çuar në përmbysjen e avionit.
Më konkretisht, sipas vlerësimeve fillestare, krahu i djathtë i avionit mund të ketë goditur pistën ose ndonjë objekt, si sistemet e ndriçimit, duke shkaktuar përmbysjen e tij.

Autoriteti i Aviacionit Civil informoi ekuipazhin për erën që frynte me shpejtësi 61 km/h, faktor ky që mund të kenë kontribuar në paqëndrueshmërinë e avionit gjatë uljes. Kontrollorët raportuan gjithashtu një “anomali të lehtë në gjurmën e rrëshqitjes”, e cila ka të ngjarë të ketë vështirësuar kontrollin e avionit.
Sipas analistit Dan Ronan, pilotët duket se kanë tentuar një manovër “gaforre”, një teknikë e përdorur për të eleminiuar ndikimin e erërave të kundërta gjatë uljes. Megjithatë, ulja u përshkrua si “e vështirë”, me një shkallë të lartë zbritjeje.
“Të gjithë punuan së bashku në mënyrë të mahnitshme, duke u përpjekur të ndihmonin njëri-tjetrin”, tha një pasagjer për CBC.

Incidenti në Toronto është aksidenti i katërt i rëndë i aviacionit në Amerikën e Veriut në një muaj. Ngjarjet e fundit janë tronditëse, si përplasja e një avioni dhe një helikopteri ushtarak pranë Uashingtonit, me 67 të vdekur, si dhe rrëzimi i një avioni mjekësor në Filadelfia, i cili mori jetën e shtatë personave.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se pavarësisht aksidenteve, udhëtimet ajrore mbeten më të sigurta se kurrë. Sipas Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit të SHBA (NTSB), numri i aksidenteve me fatalitet është ulur ndjeshëm vitet e fundit. (A2 Televizion)