Policia e Kosovës ka njoftuar se dy qytetarë dorëzuan një shumë të konsiderueshme parash në Stacionin Policor të Rahovecit.
Më datë 1 tetor 2025, rreth orës 13:30, dy qytetarë kanë paraqitur veten në stacionin policor dhe kanë dorëzuar një total prej 1950 eurosh, të cilat i kishin gjetur në rrugën “Sheh Mihedini” në Rahovec.
Personi I. Sharku ka dorëzuar shumën prej 1000 euro, ndërsa personi H. Haxhimustafa ka dorëzuar shumën prej 950 euro, duke kontribuar në kthimin e të gjithë shumës së gjetur. Pas hetimeve dhe verifikimit të informacionit, të hollat iu janë kthyer pronarit, i cili gjithashtu ishte paraqitur në Stacionin Policor dhe kishte raportuar humbjen e tyre.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për veprimin e tyre të përgjegjshëm dhe human, duke vlerësuar lartë këtë akt të ndershëm dhe të qytetarisë së mirë. Ky është një shembull i mirë i bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të sigurisë, dhe dëshmon rëndësinë e ruajtjes së vlerave morale dhe ligjore në shoqërinë tonë.
Policia e Kosovës vazhdon të ftojë qytetarët që të bashkëpunojnë me autoritetet dhe të kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë për të gjithë.