Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Dy qëndrimet kontradiktore të BE-së për Ballkanin Perëndimor që po ia lehtësojnë punën Moskës

Dy qëndrimet kontradiktore të BE-së për Ballkanin Perëndimor që po ia lehtësojnë punën Moskës

Shkruan: Afrim Kasolli

Ka ditë që një numër i madh i diplomatëve perëndimorë janë duke bërë thirrje, që sa më shpejt Prishtina dhe Beogradi, të rikthehen në procesin e dialogut me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Rifillimi i kësaj nisme, u shtrua si nevojë urgjente, fillimisht nga Sekretari i NATOS-së, Mark Rutte, gjatë një vizite në rajon, duke u pasuar nga ajo e të emëruarit të posaçëm të Brukselit për dialogun, diplomatit danez, Peter Sorensen, si dhe Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy. Secili prej tyre ka pohuar se janë në pritje të themelimit sa më shpejt të institucioneve të reja të dalaura nga zgjedhjet e 9 shkurtit në mënyrë që të mos humbet kohë në këtë drejtim.

Në këtë linjë, duhet kuptuare shqetësimet e shefes së Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas. Ajo ka deklaruar se janë duke i shqyrtuat opsionet që përpos dialogut të mendohet edhe ndonjë mjet tjetër se si do të mund të kontribuonte në drejtim të normalizimit ndërmjet dy vendeve, kurse në ndërkohë nuk ka la pa shtuar se janë duke i analizuar gabimet që kanë ndodhur “në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë” e që kanë ndikuar në stagimin e tij. Kurse Parlamenti Evropian ka kërkuar largimin e masave sanksionuese ndaj Kosovës, me argumentin se të njëjtat janë në kundërshtim me aspiratat euro-atlantike të Prishtinës dhe po ashtu po e dëmtojnë vetë avancimin e dialogut. Një dëshmi mbase kjo e njërit prej gabimeve të Brukselit për shkak të qasjes asimetrike ndaj dy vendeve.

Të gjithë këta emra janë shprehur njëzëri, se gjithnjë e më shumë është duke u përkeqësuar situata e sigurisë në rajon. Vetë Sekretari i Jashtëm britanik David Lammy, gjatë një interviste për mediumin Politico, ka shprehur alarmin e tij për këtë skenar. Zakonisht, Bosnja dhe Kosova po konsiderohen si dy nga vatrat më të nxehta politike, ku do të mund të gjenin shprehje planet subversive të Kremlinit, me qëllim për ta zhvendosur vëmendjen ndërkombëtare nga lufta në Ukrainë. Për një shtim të tillë të tensioneve u shpreh se fundi përsëri edhe Kaja Kallas. Prandaj, sipas saj është urgjente vazhdimi i politikave të zgjerimit.

Si pjesë e këtij skenari duhet kuptuar edhe dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Sepse që prej fillimit është thënë se progresi në këtë proces është parakusht për integrime euro-atlantike. Madje të dy vendet sot janë të kushtëzuara për ta implementuar pa asnjë hezitim Marrëveshjen bazë të Brukselit 2021 si dhe Aneksin Zbatimit në Ohër. Të dy këto akorde edhe pse nuk janë nënshkruar zyrtarisht nga kryeministri Albin Kurit dhe presidenti Aleksandër Vuciq, megjithatë ato po konsiderohen si obligime ligjore ndërkombëtare nga Brukseli.

Mirëpo, siç shkruan sot në një postim në rrjetin e tij social, gazetari Enver Rrobelli, duke i referuar mediumit gjerman Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) gjasat që vendet e Ballkanit të pranohen në BE si anëtare me të drejta të plota, janë baras me zero. E tëra kjo sepse kjo temë është trajtuar në mënyrë krejtësisht minore “në marrëveshjen e koalicionit për qeverinë e re në Gjermani. Aty thuhet se „Zgjerimi i BE-së dhe aftësia e saj për ta përthithur këtë zgjerim duhet të ecin dorë për dore. Prandaj, më së voni me zgjerimin e ardhshëm, kemi nevojë për një konsolidim të brendshëm dhe një reformë të BE-së që e forcon atë institucionalisht.“

Ndërkohë, është e ditur se Gjermania se bashku me Francën janë prej shteteve autore të asaj që njihet si plani franko-gjerman lidhur me marrëveshjen e sipër-përmendur. Prandaj, deri sa këto vende janë tejet skeptike për politikat e zgjerimit, por të një të njëjtën kohë kanë tentuar t’i joshin këto vende me ane të taktikës së karotës, pikërisht në këtë mënyrë po kontribuojnë në zvarritjen e këtij procesi. Ngase, tërthorazi po u thuhet palëve që kompromiset e bëra nuk do të përkthehen në përftime evropiane.

Në këtë kontekst, është kjo qasje kontradiktore e BE-së, që në masë të madhe ka ndikuar që rajoni i Ballkanit Perëndimor të shndërrohet në terren pjellor të skenarëve subversiv dhe kaotik të Kremlinit, të cilin Brukselit, pretendon se do ta minojë. Mirëpo, ky qëllim strategjik nuk mund të arrihet vetëm nga fjalët e zbrazëta. /TV Arbëria