Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Dy praktikat e deritanishme të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit

Dy praktikat e deritanishme të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit

Shkruan: Afrim Kasolli

As aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetues si dhe as takimet e Presidentes Vjosa Osmani nuk mjaftuan për t’i dhënë fund bllokadës politike në Kuvendin e Kosovës. Prandaj tri nga subjektet kryesore parlamentare ia kanë mësuar edhe një herë institucionit më të lartë juridik, për të kërkuar interpretime shtesë se si duhet të veprohet në rrethanat e reja. Partia Demokratike e Kosovës vetëm tashme e ka bërë një gjë tillë. Kurse Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pritet që shumë shpejt të trokasin në dyert e Gjykatës.

Partia e dytë parlamentare për nga numri i deputetëve në kushtetuese po e konteston “kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë, hedhjen në votim të këtij komisioni, vetë votimin e komisionit dhe ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit”. Pak a shumë për këtë temë do të kërkojë një interpretim edhe LDK. Sipas Lutfi Hazirit, grupi i deputetëve të këtij subjekti politik, “e ka përgatitur draftin në Gjykatë Kushtetuese ku do të kërkojë shpjegim dhe vlerësim të Kushtetueses në lidhje me çështjen, sepse ne po ftohemi që të votojmë për një komision ad-hoc i cili në procedurë e sipër, kryesuesi fton pa të drejtë”.

Ndërkaq, në anën tjetër Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do të “ankohet” në këtë Gjykatë për “mospjesëmarrjen në votim nga partitë opozitare. Votimi në seancë është obligim. Ne po e përgatisim që t’i drejtohemi Gjykatës për mosvotimin e deputetëve opozitare për mospjesëmarrje në votim” ka deklaruar deputetja e këtij subjekti, Mimoza Kusari-Lila. Bazë për këtë kontestim do të përdoret sipas të gjitha gjasave, konstatimi i Gjykatës se “(ii) zgjedhja e Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit është parakusht që Kuvendi të fillojë të funksionojë dhe kjo kërkon nga të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë për konstituimin e Kuvendit”,

Ndërkaq si material për pretendimet e dy partive opozitare është përdorur pohimi i aktgjykimit ku në mënyrë eksplicite thuhet se “Gjykata përfundimisht ka konstatuar se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66, në ndërlidhje me paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 67, si dhe nenet 70 dhe 74 të Kushtetutës, në pajtim me Kreun IV të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit”, Po ashtu, si argument shtesë për këto subjekte mbetet urdhri i këtij vendimi ku shpjegohet se “propozimi i kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit është i ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, dhe si e tillë kjo e drejtë për propozimin e kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit përbën njëkohësisht edhe detyrim për grupin më të madh parlamentar për bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm. Kjo e drejtë në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në bllokimin e konstituimit të Kuvendit dhe se detyrimi për bashkëpunim konstruktiv në mirëbesim,që buron nga vetë neni 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetareve] i Kushtetutës, njëkohësisht ndërlidhet ngushtë edhe me detyrimin e përcaktuar në nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës, sipas të cilit,deputetët e Kuvendit ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës në pajtim me Kushtetutën, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit”.

Ndërkohë pas dështimit të për ta ndërtuar konsensusin ndërmjet partive politike me qëllim të tejkalimit të kësaj krize, adresimin para Gjykatës Kushtetuese nuk e ka përjashtuar as Presidentja Vjosa Osmani.

Sidoqoftë nuk mund të mohohet fakti se ne praktikën e deri tanishme parlamentare në Kosovë, kryetari i Kuvendit asnjëherë nuk është zgjedhur me votim të fshehtë, ashtu siç po kërkon aktualisht Lëvizja Vetëvendosje, por që “Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur për ligjshmërinë e refuzimit të votimit të fshehtë”.

Kurse pas shpalljes së pavarësisë, në vitin 2011, ish-kryetari i Kuvendit Jakup Kraniqi, është votuar për atë pozitë si i nominuar nga PDK-ja, pa marrëveshje paraprake politike. Ai i kishte siguruar shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit, ashtu siç e përcakton edhe aktgjykimi fundit ku “kërkon nga të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë për konstituimin e Kuvendit”.

Mirëpo, duke filluar nga viti 2014 e tutje, për shkak të thellimit të polarizimit politik, asnjë kryetar nuk është zgjedhur pa marrëveshje politike paraprake ashtu sic rekomandohet në vendimin më të freskët të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë drejtim, Kosova ka njohur deri më tani dy praktika parlamentare në zgjedhjen e krye kuvendarit. Si pa dakordim paraprak politik, por edhe variantin tjetër, që partia fituese e zgjedhjeve të drejtën për këtë pozitë nuk kishte mundur ta gëzonte pa sigurimin paraprak të votave të mjaftueshme nëpërmjet koalicioneve qeverisëse. Dhe në rrënimin e modelit të parë nuk ka dyshim se një kontribut madhor e ka dhënë vetë Lëvizja Vetëvendosje. /TV Arbëria