Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Dy incidente me të shtëna masive në Afrikën e Jugut lënë 27 të vdekur

Dy incidente me të shtëna masive në Afrikën e Jugut lënë 27 të vdekur

Njëzet e shtatë persona janë vrarë në dy incidente të të shtënave masive me diferencë prej pak orësh në Afrikën e Jugut; ky është rasti më i fundit i dhunës me armë që godet vendin, ka raportuar BBC, transmeton Gazeta Express.

Shtatëmbëdhjetë persona humbën jetën kr tetë persona të armatosur hynë me forcë në një lokal pranë Johanesburgut mbrëmjen e së shtunës, ndërsa 15 të tjerë mbetën të plagosur.

Në një incident të veçantë, në orët e para të së dielës, 10 persona u vranë jashtë një ambienti argëtimi në një zonë periferike pranë Kejptaunit dhe 11 të tjerë u plagosën.

Afrika e Jugut ka një nga nivelet më të larta të vrasjeve në botë dhe është përballur me vështirësi në frenimin e dhunës me armë të lidhur me bandat kriminale gjatë viteve të fundit. Policia nuk ka dhënë ende një motiv të qartë për asnjërin nga sulmet e fundit.

Në Johanesburg, personat e armatosur hapën zjarr ndaj klientëve jashtë lokalit, përpara se ta vazhdonin sulmin brenda dhe t’u vinin flakën dy automjeteve para se të largoheshin.

Policia bëri të ditur se u vranë trembëdhjetë burra dhe katër gra.

Komisioneri i Policisë së Gautengut, gjenerallejtënant Tommy Mthombeni, tha se mes viktimave kishte shtetas nga Etiopia dhe Lesoto, por se shumica dërrmuese ishin nga Afrika e Jugut.

Ai shtoi gjithashtu se policia dyshon se motivi i të shtënave ishte grabitja, pasi ishin marrë sende personale, por nuk përjashtoi mundësinë e konflikteve për kontrollin e territorit midis grupeve që merren me miniera të paligjshme.