Kanë mbetur edhe dy ditë deri në skadimin e mandatit të guvernatorit aktual Fehmi Mehmeti dhe ende nuk dihet se kush dhe kur do të emërohet si i pari i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Sipas shpalljes që ishte bërë nga BQK-ja, emërimi i guvernatorit të ri do të jetë për një mandat pesë vjeçar duke filluar më 29 mars 2023, shkruan Telegrafi.
Aktualisht, procesi i përzgjedhjes së guvernatorit ka ngecur në Komisionin parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku është vendosur se raporti duhet të plotësohet me të dhëna duke përfshirë opsionin ligjor dhe pikët e të gjithë kandidatëve. Në listën e kandidatëve që është dërguar nga Paneli i BQK-së, deputetët e partive opozitare kanë pasur kritika sa i përket mënyrës sesi ka shkuar procesi i përzgjedhjes së guvernatorit.
Me këtë rast, katër kandidatë sipas Bordit janë në garë për t’u zgjedhur në krye të BQK-së. Ata që e synojnë këtë pozitë janë Ahmet Ismaili, Shkëndije Himaj, Nexhat Kryeziu dhe Lulzim Ismajli.
Kryetar i Bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja në këtë Komision pati thënë se procesi i përzgjedhjes është monitoruar nga Ambasada britanike.
“Për pozitën në fjalë është kanë aplikuar gjithsej 17 kandidatë, pas vlerësimeve të CV-së, për intervistim janë ftuar gjithsej 14 kandidatë dhe nga projekti është konstatuar se kandidatët e njëjtë, të 14-të i plotësojnë kushtet për intervistim. Kandidatët që nuk janë ftuar për intervistim janë informuar se nuk janë përfshirë në listën për intervistim. Pyetjet kanë qenë unike për të gjithë kandidatët me qëllim të vlerësimit real në funksion të parimit të barazisë, për të cilën kanë qenë të njoftuar të gjithë kandidatët. Dhe menjëherë pas përfundimit të intervistës secilit kandidat, paneli ka bërë vlerësimin e kandidatëve, duke dhënë pikët për secilën fushë”, ka theksuar Nurboja.
Në bazë të Ligjit për Bankën Qendrore të Kosovës, guvernatori si kryeshef ekzekutiv i këtij institucioni është pjesë e Bordit dhe kryesues i Bordit Ekzekutiv. Neni 38 i këtij Ligji përcakton edhe mënyrën e emërimit të shefit të saj.
Në pikën 1 të këtij neni thuhet se guvernatori dhe anëtarët joekzekutiv të Bordit të BQK-së emërohen për një mandat prej pesë vitesh, ndërsa pika dy e këtij neni thotë se kurdo që paraqitet boshllëk do të konstituohet një panel përzgjedhës që ka kompetenca për shqyrtimin e të gjithë kandidatëve i përbërë nga anëtarët e tjerë të Bordit të BQK-së dhe guvernatori, ku asnjëri prej tyre nuk kërkon riemërim.
“Paneli do t’i përzgjedhë të gjithë aplikantët në bazë të kualifikimeve dhe performancave gjatë intervistimit dhe do të japë shpjegim me shkrim për një përzgjedhje te tillë. Lista me radhitjen e të gjithë aplikantëve që konsiderohen nga paneli se kanë përmbushur kriteret do të dërgohet në Kuvend të Republikës së Kosovës dhe Qeveri, e cila mund t’i japë një mendim Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kusht që ky mendim të dërgohet në Kuvend të Republikës së Kosovës brenda pesëmbëdhjetë ditëve”, thuhet në pikën dy të nenit 38.
Mirëpo, në fund kompetencat për përzgjedhjen e guvernatorit i takojnë Kuvendit të Kosovës.
“Nga ajo listë, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të përzgjedhë një individ për secilën pozitë në bordin e Bankës Qendrore që duhet të plotësohet. Pasi që Kuvendi i Republikës së Kosovës të ketë bërë përzgjedhjen e fundit do t’ia përcjellë presidentit këto propozime, i cili pastaj do të miratojë dhe do të emërojë një person për të plotësuar pozitën”, thuhet tutje në nenin 38 të Ligjit për BQK-në.
Nëse i pari i BQK-së nuk emërohet deri në datën e paraparë, atëherë postin e guvernatorit e merr Bordi, përkatësisht nga kryetari i saj.
“Në rast rrethanash të jashtëzakonshme dhe nëse të gjithë anëtarët e Bordit Ekzekutiv mungojnë apo nuk janë në gjendje të veprojnë, posti i guvernatorit do të merret përkohësisht nga kryetari i Bordit të Bankës Qendrore. Dy anëtarët joekzekutivë të Bordit të BQK-së që janë më së gjati në post të tillë si dhe në dispozicion do të marrin përkohësisht postet e zëvendësguvernatorëve”, thekson neni i 46 i Ligjit për BQK-në.
Institucioni më i lartë financiar në vend, aktualisht udhëhiqet nga Mehmeti. Këtij të fundit i skadon mandati më 29 mars e që ishte emëruar më 2018.
/TV Arbëria