Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > DW: As Ballkani nuk është i përjashtuar nga radikalizimi islamik

DW: As Ballkani nuk është i përjashtuar nga radikalizimi islamik

Pas parandalimit të atentatit në koncertin e Taylor Swift në Vjenë ka debat për radikalizimin e të rinjve myslimanë nga Ballkani. Studiuesi, Robert Pichler flet për grackat ku bien të rinj pa orientim e të zhgënjyer.

Deutsche Welle: Në fundjavë Gjermania u trondit nga një sulm me thikë ku humbën jetën tre person e që po hetohet si akt terrorist. Disa javë më parë u ndërpre koncerti i Taylor Swift në Vjenë, nga rreziku i një sulmi terrorist të motivuar nga islamistët në Vjenë. I dyshuari ishte me origjinë nga Maqedonia e Veriut, siç ishte rasti në sulmin terrorist në Vjenë në vitin 2020. Sa i madh është rreziku që të rinjtë myslimanë nga Ballkani të radikalizohen jashtë vendit?

Robert Pichler: Siç mund ta shohim nga ngjarjet tragjike në Solingen fundjavën e kaluar, mekanizmat e mobilizimit terrorist në shumë raste janë analoge. Është sërish IS-i që ka marrë përgjegjësinë për një sulm terrorist, sërish është një i ri me prejardhje migrante që është nxitur për të kryer këtë krim. Në rastin e sulmeve të Vjenës apo tentativave për sulme terroriste, është po ashtu befasuese që të dy personat vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe dukshëm janë radikalizuar në Vjenë.

A është kjo një rastësi?

Nuk mendoj se është plotësisht një rastësi, që të dy – si terroristi i 2 nëntorit 2020 dhe terroristi i dyshuar i 7 gushtit 2024, – janë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, por do të isha shumë i kujdesshëm dhe nuk do ta bëja rrezikun e radikalizimit dhe terrorizmit si fenomen të diasporës shqiptare-maqedonase. Komuniteti shqiptar nga Maqedonia e Veriut është shumë i larmishëm dhe shumica dërrmuese e myslimanëve shqiptarë nuk duan të kenë asnjë lidhje me pikëpamjet radikale dhe të dhunshme në emër të islamit. Në të njëjtën kohë, duhet thënë, se ka një numër jo edhe aq të vogël të rinjsh që nuk e gjejnë dot rrugën e tyre, që nuk ndihen në shtëpinë e tyre as këtu e as andej dhe kërkojnë rrugëdalje që u japin njohje dhe vlerësim. Në këtë pikë duket se, pozicionet radikale islamike gjejnë një miratim të lartë tek disa.

Po pse?

Propaganda e predikuesve islamistë të urrejtjes dukshëm për disa është një ‘atdhe i ri’ ku ata ndjehen të pranuar dhe ku i konvertojnë zhgënjimet më të mëdha në refuzim dhe urrejtje ndaj çdo gjëje që supozohet se është e pashenjtë. E pashenjta është mënyra e jetesës perëndimore, ato vlera dhe liritë për të cilat kemi luftuar në konflikte të gjata kundër një dominimi të bazuar në dogmat fetare. Natyrisht, lind pyetja se përse kjo mënyrë jetese perëndimore, e dëshiruar aq shumë në ish-(jug-)lindjen socialiste për grupe të caktuara u bë një kërcënim dhe në fund të fundit një armike kaq e madhe sa të luftohej edhe me mjete terroriste. Përgjigja për këtë nuk është aspak e lehtë. Si antropolog historian që ka studiuar rrjetet e migrantëve midis Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë për një kohë të gjatë, unë mund të jap njohuri për ndryshimin e marrëdhënieve shoqërore, por për sfondin e radikalizimit islamik mund të ofrohen vetëm supozime.

Si ndryshuan këto marrëdhënie shoqërore. Prindërit erdhën në perëndim, punuan, nuk ranë në sy në shoqëritë perëndimore, në Gjermani, Austri, pasardhësit kanë lindur në perëndim, kanë një situatë tjetër, bazë më të mirë financiare, e megjithatë ndodh të jenë të hapur ndaj dhunës islamiste…

Kanë ndryshuar shumë gjëra që nga vitet 70-të/80-të. Atëkohë punëtorët migrantët jugosllavë erdhën në Austri apo Gjermani për të punuar përkohësisht. Nuk ishin shumë ata që donin të rrinin përgjithmonë, me eufemizëm flitej për “gastarbeiter”- dhe jo për imigrante e imigrantë*. Ky brez i punëtorëve migrantë shpesh ishte i padukshëm, ata pranuan kushte banimi të vështira dhe kishin vendet e tyre të socializimit në banesa, që jo rrallë ishin strehimore masive apo lokale shoqatash, larg popullsisë vendase.

Por sot nuk mund të thuash se pasardhësit janë të padukshëm…

Sot situata është ndryshe. Sot kemi një brez të ri madje që do të bjerë në sy, të manifestojë vetveten, që do të dallojë nga të tjerët. Islami është kthyer në një tipar dallues, prezent për të gjithë dhe një pjesë jo edhe aq e vogël e këtyre të rinjve, kryesisht meshkuj, e ka kthyer pjesën më reaksionare të islamit në etalon për një kulturë të re orientimi. Ata që nuk i nënshtrohen kësaj, disiplinohen, në rast nevoje edhe me dhunë. Shkollat vjeneze, aty ku myslimanët ndërkohë përbëjnë shumicën të japin dëshmi të gjalla për këtë zhvillim.

Islami është kthyer në mjediset rinore migrante në një fenomen kulti, është “cool” të jesh mysliman, intoleranca që shpesh e shoqëron këtë shihet si shprehje e një superioriteti të devotshëm, përfshirë mosrespektin për fe të tjera, veçanërisht atë hebreje, por edhe për gratë apo minoritetet seksuale. Zëra kritikë nga kampi i vet zor se dëgjohen. Komunitetit Islamik, gjithsesi përfaqësia zyrtare e myslimanëve në Austri, nuk i ra gjë më shumë në mendje pas përpjekjes për atentatin islamist në koncertin e Taylor Swift, se sa të tërhiqte vëmendjen për refuzimin e saj parimor të dhunës dhe ekstremizmit. Shoqëria liberale në Austri shpesh nuk do të merret me të, sepse nuk do të jetë raciste apo islamofobe. Në një kohë që në shumicën e shoqërisë austriake rritet refuzimi për islamin, nga një dyshim i përhapur dikur kemi tani një pakënaqësi të thellë, që me shumë gjasa në zgjedhjet e ardhshme do të reflektohet.

Çfarë roli luajnë konfliktet e identitetit?

Sfidat që shoqërojnë një ndryshim të vendit të jetesës dhe përballjet me çështjet e identitetit nuk u reflekuan sa duhet. Për fëmijët, por edhe për gratë që shpesh erdhën pa njohuri gjuhësore dhe arsimim në Austri, kjo kthesë jete ishte shumë e vështirë, ata duhet të luftonin me një sërë disavatanzhesh, shpesh ofendoheshin për shkak të origjinës së tyre dhe përfundonin në shumicën e rasteve në sektorin e punëve më të keqpaguara.

Në leksionet e mia ndesh herë pas here me fëmijë të ish-migrantëve, interesi kryesor i të cilëve është të mësojnë më shumë për origjinën dhe historinë e tyre, pse erdhën në Austri; në shtëpi flitet pak për këtë, shumë shtrojnë pyetje elementare identiteti, për origjinën e tyre, për trashëgiminë kulturore të prindërve dhe gjyshërve dhe natyrisht për shkaqet e luftërave.

Natyrisht shtrohet edhe çështja e identitetit islam dhe për shumë vetë janë të pakuptueshme përgjigjet shabllone të narrativit kombëtar-shqiptar, sipas të cilit islami paraqet një identitet të imponuar dhe të ankoruar sipërfaqësisht. Shumë nga këta të rinj janë në kërkim, ata testojnë dhe zbulojnë botë të tjera alternative jetese, nga të cilat bota islame – që ekziston në shumë ngjyrime – është një prej disave. Vjena ofron për këtë një sërë mundësish.

Për të ardhurit nga Ballkani lidhja me vendlindjen është një shtyllë e rëndësishme e identitetit, pavarësisht jetës jashtë vendlindjes. Çfarë pasojash ka kjo?

Për njerëzit me sfond migracioni nga Maqedonia e Veriut apo Kosova mjedisi i prejardhjes ka një relevancë të madhe. Nuk është e dëshirueshme dhe as e mundur të çlirohesh nga lidhjet e ngushta familjare dhe sociale. Kjo prek sidomos ata që vijnë nga zonat rurale, që u transformuan vetëm pak nga proceset e modernizimit socialist. Atje si më parë janë të ankoruara fort mënyra mendimi konservator, patriarkalo-mysliman. Kjo e lehtëson lidhjen me komunitetet myslimane në Vjenë, ku kjo mënryë të menduari e të jetuari gjen një ushqim të ri. Por ka rëndësi të theksohet, që ky lloj konservatorizmi nuk nxit patjetër islamizmin që mbështet dhunën; ky shfaqet, atëherë kur të rinjtë janë pa orientim, ndjehen të përjashtuar, dhe ku është akumuluar një lloj zhgënjimi, gjë që ua bën të mundur predikuesve radikalë t’i instrumentalizojnë ata për qëllimet e tyre. Shenja alarmi për këtë janë shpesh të ndierit i huaj me familjen, si në rastin e atentorit të dyshuar Beram A., që u kuptua mirë, kur u bë rikonstruimi i ngjarjeve (fjala është për ndalimin së fundmi të koncertit të Taylor Swift. shën. red.)

Rastet e të rinjve të radikalizuar në Austri ishin të rinj të radikalizuar në perëndim, jo në Ballkan. Islami në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut njihet si tolerant dhe pro dialogut. Por edhe aty gjenden rryma radikale. Sa i madh është rreziku i radikalizimit nga aty?

Imazhi i një islami kryesisht tolerant në Ballkan deri në një farë mase është një lloj eufemizmi. Edhe Ballkani nuk është i përjashtuar aspak nga tendencat e radikalizimit. Kemi një rajon ku përplasen veçanërisht forca diverguese. Veçse në dallim nga Europa qendrore, njerëzit në Ballkan kanë një përvojë të gjatë të bashkëjetesës multikulturore, prandaj aty e kanë më të lehtë mënyrën si të sillen me dallimet kulturore dhe fetare. Nga ana tjetër pikërisht Jugosllavia ka pas vetes një histori të disintegrimit brutal. Etnonacionalizmi i përhapur, mobilizimi i miteve historike dhe nxitja kundër myslimanëve ka qenë sidomos më e përhapur në qarqet nacionaliste-ortodokse. Kjo ishte vendimtare për shpërthimin e luftës dhe që çoi si pasojë në dëbime deri në gjenocid.

Këto përvoja janë ngulitur thellë në kujtesën kolektive të myslimanëve. Nga ana tjetër ky polarizim ka çuar në riaktivizim të përkatësive fetare për dallim nga ai që është ndryshe etnikisht. Maqedonia e Veriut nuk e ka pasur këtë zhvillim në mënyrë kaq dramatike sa Kosova apo Bosnje-Hercegovina. Në Maqedoni duke iu referuar shqiptarëve myslimanë forcat laike nuk ishin aq prezente si në Kosovë, që kishte një universitet dhe shtresë të arsimuar akademike dhe një elitë politike-kombëtare. Në Maqedoninë e Veriut, ndryshe nga rajone të tjera mundën të zinin vend më shumë aktorë islamistë. Ky islam i ri, që mbështetej nga organizata karitative myslimane nga hapësira arabe dhe nga Turqia kishte qartësisht një drejtim antiperëndimor.

Flasim për këta djem të rinj që e zotërojnë pa asnjë problem gjuhën e vendit të ri të tyre, jetojnë aty, e prapë bëhen kundërshtarë të tij. Çfarë nuk ka funksionuar këtu? Sipas një studimi forcat radikale përqëndrohen “tek të rinjtë me zhgënjim për integrimin perëndimor”. Hakmerren këta të radikalizuar për atë që nuk u ndjenë të mirëpranuar?

Po. Tek të këta të rinj ka dështuar integrimi. Por nuk duhet harruar, se një shumicë dërrmuese e myslimanëve të ardhur në Austri respektojnë kushtetutën dhe identifikohen në masë të madhe me Austrinë. Do të ishte dritëshkurtër të pretendohej se myslimanët nuk u ndjenë kurrë të pranuar këtu dhe tani do të hakmerreshin për këtë. Nuk ka dyshim se në Austri ka mjaft qëndrime armiqësore ndaj islamit. Me shtimin e migracionit nga Bosnja dhe zonat shqiptare në Jugosllavi dhe ndër të tjera edhe nga Turqia, imazhi për islamin në dy dekadat e fundit ka ndryshuar shumë. Nga një kuptim paternalist i islamit është bërë një marrëdhënie e përcaktuar nga dyshimi, frika dhe paragjykimet. Shumë fëmijë nga brezi i “gastarbeiter” i përjetuan problemet e prindërve të tyre të zinin vendin e tyre në Austri, shpesh prindërit duruan poshtërime dhe u përshtatën në mënyrë të heshtur. Ky brez i ri, që ka lindur dhe është rritur këtu, nuk do t’i pranojë më – me të drejtë – këto poshtërime. Por këtu shpesh nuk bëhet fjalë për një kompensim, po puna vjen tek polarizimet që manifestohen në përditshmëri.

Çfarë mund të bënte ndryshe shoqëria pritëse?

Nuk besoj se mungon parimisht gatishmëria për pranim, nuk mungojnë as paratë dhe as mundësitë ekonomike. Në Austri ke një mungesë fuqie punëtore në shumë drejtime, të kualifikuar kërkohen kudo. Pa dyshim arsimi luan rol kyç, por shumë shkolla me numër të madh migrantësh nuk merren në plan të parë me transmentimin e dijes, por ofrojnë punë sociale, menaxhim krizash, punë kompensimi për marrëdhëniet jo-funksionale prind-fëmijë, përpunim traumash, që mbartin fëmijët e ardhur nga zonat e luftës, apo ato funksionojnë si instrument balancues kundër radikalizmit etnik apo fetar. Pikërisht këtu merr rëndësi të madhe edukimi i thellë në kuptimin e një të menduari të hapur. Si mund të bëhet që këta të rinj të kenë një përballje kritike me dogmat fetare, si mund t’ua bësh të afërt autonominë e një subjekti kritik, si t’i nxjerrësh nga mituria e të menduarit, nga varësia e profetëve të internetit, që sillen si përfaqësues të Zotit në tokë, dhe që u urdhërojnë këtyre të rinjve gjithçka, deri nëse është Haram apo Halal të mbash një kafshë në shtëpi. Jashtë shkollës nevojitet më shumë pjesëmarrje sociale dhe integrim profesional. Një element tjetër është dialogu ndërkulturor, që ndihmon të reduktosh paragjykimet me njëri-tjetrin dhe që çon në njohjen më të mirë të grupeve të ndryshme.

Radikalizimi është një dukuri komplekse, ku ndikojnë shumë faktorë, individualë, socialë, politikë dhe ideologjikë. Vendimtare është të analizohen shkaqet, pa rënë në fajësime të përgjithshme dhe të shikosh për zgjidhje që bazohen në dialog, integrim dhe parandalim.

PD. Dr. Robert Pichler është antropolog historian në Institutin Studimor të Monarkisë së Habsburgëve dhe Hapësirës së Ballkanit në Akademinë e Shkencave në Vjenë – (Institut für die Erforschung der Habsburgermonarchie und des Balkanraums an der Österreichischen Akademie der Wissenschaften). Në studimet e tij ai trajton tema si migracioni dhe transnacionalizmi, familja dhe lidhjet fisnore në Ballkan dhe çështjet pamore shkencore që lidhen me këtë.

* ylli nënkupton këtu përfshirjen e të gjitha minoriteteve gjinore

Powered by WordPress