Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Maqedoni > Durmishi viziton zejtarët: Ministria e Ekonomisë do të bashkëfinancojë shpenzimet për blerjen e makinave ose veglave të reja

Durmishi viziton zejtarët: Ministria e Ekonomisë do të bashkëfinancojë shpenzimet për blerjen e makinave ose veglave të reja

Me masën e re për subvencionimin e zejtarëve, ministria e Ekonomisë dhe Punës do të bëjë bashkëfinancimin prej 40 për qind të shpenzimeve për blerjen e makinave ose veglave të reja që u nevojiten zejtarëve për punë. Mjetet e përgjithshme të parapara me këtë thirrje publike, janë 6 milionë e 500 mijë denarë, ndërsa vlera e përgjithshme për një aplikant është maksimalisht 200 mijë denarë.

“Ministria e ekonomisë dhe punës javën e kaluar shpalli thirrjen publike për mbështetje të zejtarisë. Kjo masë ka për qëllim të subvencionojë zejtarët dhe ushtruesit e veprimtarisë zejtare, përmes bashkëfinancimit të 40 për qind të shpenzimeve të dëshmuara, por jo më shumë se 200 mijë denarë për aplikant, të bëra për blerjen e makinave ose veglave të reja dhe dizajnimin e produktit të ri”, Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë dhe Punës.

Zejtarët e mirëpresin këtë masë, por thonë se e njejta duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe çdo vit të ketë rritje të përqindjes së mjeteve.

“Të mos ndalemi këtu, por këto përqindje parash që do ti merrnin zanatxhinjtë, të jenë çdo vit në rritje, që zanatxhinjtë të kenë motiv më të madh që të mund të del më mirë në treg, të marrin më shumë mjete nga shteti dhe prej saj do të kenë përfitime edhe qytetarët… ”, deklaroi Goran Ristovski, Oda e Zejtarëve Shkup.

“Për të gjithë zanatxhinjtë, ne momentalisht jemi me teknologji shumë të vjetër. Ajo teknologji, shembull për zanatin tim, për mua është shumë e shtrenjtë, me këto subvencione, do të na ndihmojnë që ta zgjerojmë biznesin. Tani jemi në shekullin 21, ka arritur teknologjia, ndërsa ne jemi akoma me makina të shekullit 20. Këtë që do ta ofrojnë tani është shumë më mirë. Tani duhet të aplikohet, varet se kujt do t’i ndahet, për mua si zanatxhi, kjo është një ofertë e mirë, mund ta zgjeroj biznesin tim ”, u shpreh një zejtar.

Aplikimet mund të bëhen deri më 1 tetor, ndërsa të drejtë për aplikim kanë të gjithë zejtarët aktivë. Ata duhet të dëshmojnë për shpenzimet e bëra gjatë vitit 2023 dhe 2024. Nuk duhet të kenë hapur procedurë të falimentimit. Të mos kenë borxh ndaj shtetit apo të punësuarve. Të kenë punuar të paktën 1 vit para shpalljes së thirrjes publike dhe të mos kenë marrë mjete financiare nga thirrjet e ministrisë së Ekonomisë në 3 vitet e fundit./Alsat/

Themes by WordPress