Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Durmishi del me sqarim për aksidentin në Pestovë të Vushtrrisë, ku vdiq një person

Durmishi del me sqarim për aksidentin në Pestovë të Vushtrrisë, ku vdiq një person

Një aksident tragjik ka ndodhur në Pestovë të Vushtrrisë, ku një 21-vjeçar ka humbur jetën. Zv/ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, përmes një postimi në Facebook, sqaroi se zona e aksidentit është e mbikëqyrur dhe pajisur me sinjalistikë, por qarkullimi i automjeteve ishte i ndaluar.
Një aksident tragjik ka ndodhur në mbrëmjen 6 nëntorit në rrugën nacionale Prishtinë-Mitrovicë, në fshatin Pestovë të Vushtrrisë, duke rezultuar në humbjen e jetës së një të riu 21-vjeçar.

“Me datë 06.11.2024 rreth orës 22:00, policia në Mitrovicë ka pranuar informatën se në rrugën nacionale Prishtinë-Mitrovicë, në f.sh. Pestovë të Vushtrrisë ka ndodhur një aksident me lëndime te rënda në të cilin ishte përfshirë një automjet me targa vendore.

Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor, mirëpo rreth orës 00:40 të datës 07.11.2024 policia është njoftuar nga emergjenca e QKUK-së, se si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident, personi i lënduar i moshës 21 vjeçare ka humbur jetën”, kishte njoftuar Policia para disa orësh.

Ministria e Infrastrukturës, përmes zv/ministrit Hysen Durmishi, ka shprehur ngushëllime të sinqerta për familjen e të ndjerit dhe ka sqaruar situatën lidhur me projektin e rrugës Milloshevë-Mitrovicë.

Sipas Durmishit, projekti është duke u mbikëqyrur nga një kompani konsulente që kujdeset për sigurinë dhe rregullsinë e punimeve.

Në raportin e kërkuar nga punëkryesi dhe kompania mbikëqyrëse, është konstatuar se në rrugë ka sinjalistikë të nevojshme, dhe se aksidenti ka ndodhur në një pjesë ku ishte ndaluar qarkullimi i automjeteve.

“Së pari ju shprehim ngushllimet tona të sinqerta familjarëve me rastin e humbjes së jetës së familjarit të tyre.

Në projektin e rrugës Milloshevë – Mitrovicë përveç kontraktorit e kemi të angazhuar edhe një kompani konsulente e cila bënë mbikqyrjen e punimeve dhe kujdesen për mbarëvajtjen e punimeve dhe për sigurinë në punishte.

Menjëherë pas rastit kemi kërkuar një raport nga punëkryesi dhe kompania mbikqyrëse. Në bazë të këtij raporti konstatohet se në rrugë ekziston sinjalistika e nevojshme dhe aksidenti ka ndodhur në pjesën e rrugës ku ka qenë i ndaluar komunikacioni”, ka shkruar Durmishi në Facebook.

Zv/ministri ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe institucioneve të drejtësisë që të trajtojnë rastin me prioritet për të zbardhur shkaqet e aksidentit sa më parë.

“Megjithatë, me rastin po merret policia e Kosovës dhe po presim raportin zyrtar të tyre. Me këtë rast ftojmë policinë e Kosovës dhe institucioneve të drejtësisë që ta trajtojnë rastin me prioritet që sa më parë të zbardhen arsyet e aksidentit.

Me këtë rast ftojmë të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të lëvizin me kujdes në vendet ku zhvillohen punimet dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe sinjalistikën në vendëpunishte”, ka shkruar Durmishi.

Powered by WordPress