Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Durim Berisha dorëzon ankesë në IPK ndaj një zyrtareje policore për keqpërdorim detyre

Durim Berisha dorëzon ankesë në IPK ndaj një zyrtareje policore për keqpërdorim detyre

Durim Berisha ka njoftuar se i ka dorëzuar ankesë Inspektoratit Policor të Kosovës kundër një zyrtareje policore, të cilën e akuzon për keqpërdorim të autoritetit dhe shkelje të të drejtave themelore gjatë një ndalimi të tij më 1 maj 2026.

Sipas Berishës, për më shumë se pesë orë nuk i është bërë e ditur arsyeja e arrestimit, identiteti i personave që kishin bërë ankesë ndaj tij, si dhe vepra penale për të cilën dyshohej. Ai pretendon se këto informacione i ka marrë vetëm më 3 maj, kur është paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në reagimin e tij publik, Berisha ka akuzuar zyrtaren se gjatë qëndrimit në polici është përballur me qortime dhe komente që, sipas tij, kanë pasur karakter presioni dhe tentativë për “disiplinim”, lidhur me qëndrimet dhe shkrimet e tij publike.

Ai po ashtu ka deklaruar se shqetësimet e tij shëndetësore dhe familjare nuk janë marrë parasysh, ndërsa ka shprehur bindjen se rasti i tij duhet të trajtohet për të parandaluar, siç tha, raste të ngjashme të ndalimeve arbitrare dhe frikësimit të aktivistëve.