Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > “Duhet me u dënu përjetë”- Dënimi i serbit për krime lufte, familjarët e viktimave shqiptare emocionojnë me fjalët pas vendimit të gjykatës

“Duhet me u dënu përjetë”- Dënimi i serbit për krime lufte, familjarët e viktimave shqiptare emocionojnë me fjalët pas vendimit të gjykatës

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore të Prishtinës sot është shpallur aktgjykimi ndaj Millosh Pleskoviqit, i akuzuar për krime lufte në Prizren.

Pleskoviq është dënuar për vrasjen e tre shqiptarëve në Prizren, me 15 vite burg.

Familjarët e viktimave pas aktvendimit të gjykatës kanë folur para Pallatit të Drejtësisë, ku 15 vite dënim i kanë vlerësuar si të pakta dhe kanë kërkuar dënim të përjetshëm të Pleskoviq.

“Ata duhet përjetë, ai po paraqitet që s’i kanë gju vëllaznitë e mij. Ai Milloshi është. Ai mi ka masakru vëllaznit. Pak osht ajo, shumë duhet, jo vetëm ai, krejtve. Ai i ka mytë krejtë. Nuk janë vetëm vëllaznitë e mij, nëna ime që sa vite është t’u kajtë. Duhet shumë. Pak osht drejtësia, nuk është në nivel, duhet më shumë”, ka thënë familjarja e njërit nga viktimat shqiptare.

I njohur me nofkën “Miki”, Millosh Pleskoviq, në bashkëkryerje akuzohej për vrasjen e dy pjesëtarëve të familjes Daçaj, dhe Fatmir Bojaxhiut, në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla”, në Prizren.

Sipas aktakuzës, rreth datës 1 shtator 1998, në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla”, në Prizren, viktimat R.D., B.D., F.B së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, kanë shkuar në malin e tyre, i cili gjendej afërsisht rreth 300 metra në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla”, për të marrë dru për ngrohje.

Sipas Aktakuzës, në mesin e tyre e kishin parë edhe të pandehurin në fjalë, Millosh Pleskoviq.

Në atë moment i pandehuri kishte shtënë me armë të tipit “kallashnikov” në drejtim të tyre dhe me të filluar të shtënat, viktima, tani i ndjeri B.D., e ka shtyrë më krah të dëmtuarin Xhenger Cana – duke e futur nën rrugë, në mënyrë që ta shpëtojë nga vrasja, pasi që ishte më i riu në grup.

Të dëmtuarit, Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kanë vrapuar në drejtim të shtëpive të tyre, kurse viktimat, tani të ndjerit B.D dhe R.D dhe F.B kanë mbetur në vendin e ngjarjes të vrarë.

Pas një jave, familjarëve iu lejua të marrim trupat e pajetë nga vendi ku ndodhi tragjedia, vetëm për t’i gjetur ata të gjymtuar: njëri pa njërën këmbë, e tjetri pa kokë.

Millosh Pleskoviq ka qenë nën masën e paraburgimit nga 30 shtatori i 2023-tës.

Ai u arrestua në fshatin Uglar, ku jetonte pasi iku nga Prizreni.