Deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, ka thënë se ushtria e Serbisë nuk ka mundësi të hyjë në Kosovë. Përfaqësues të ndryshëm të qeverisë së Serbisë, kanë paralajmëruar se do të kërkojnë nga KFOR-i ta lejojnë hyrjen e ushtrisë serbe në Kosovë. Këto pretendime të Serbisë, i kanë kundërshtuar të gjithë nga spektri politik në Kosovë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se një gjë e tillë nuk është e mundur. “Tani I ka humb levat, tani kërcënon me luftë, u kthy në gjenezën ku e kishte tek Putini. Ato ishin kërcënime të qarta. Ne e dimë çfarë ka prodhu ushtria e Serbisë, ato janë ëndrra të tij tash. Nuk duhet mohu roli destruktiv për ta destabilizuar vendin”, ka deklaruar ai.
“Një synim i tillë tregon ambiciet e Serbisë për t’u kthy në Kosovë. Ajo kështu mendon. Hyrja e ushtrisë së tyre në Kosovë, është e pamundur, edhe në aspektin legal”, ka vijuar ai. Dugolli i ka komentuar edhe ngjarjet në veri të Kosovës, duke thënë se vendosja e barrikadave atje është bërë nga grupe kriminale të organizuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Shteti po përballet me një grup të organizuar bandit, të cilët gjenezën e anë nga Serbia. Kjo po shihet edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Vuciq e ka humb durimin, për një kohë të gjatë padrejtësisht u paraqit si një njeri i paqes”, ka thënë ai. Dugolli, u shpreh se Vuçiq, e ka humbur ndikimin në institucionet e Kosovës, për këtë arsye sipas tij, tashmë është duke i përdorur grupet kriminale në veri, për ta destabilizuar atë pjesë./Dukagjini