Moscertifikimi i motrës së Donika Kadajt, Duda Balje: E paqartë nëse veprimet u nxitën nga frika politike, përpjekje e rrezikshme për komunitetet minoritare
Motra e Donika Kadaj-Bujupi, Ena Krasniqi, ka mbetur jashtë listës së partisë boshnjake VAKAT, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar ankesën e koalicionit për certifikimin e saj si kandidate për deputete.
Rreth këtij vendimi ka reaguar deputetja Duda Balje, e cila ka thënë se ende nuk është e qartë nëse këto veprime janë nxitur nga frika politike apo nga interesa të ngushta. Ajo ka vlerësuar se përpjekje të tilla përfaqësojnë një precedent të rrezikshëm jo vetëm për boshnjakët, por edhe për të gjitha komunitetet minoritare në Kosovë.
Balje ka shtuar se kjo është përpjekja e dytë radhazi e Koalicionit VAKAT për të përdorur manipulime politike dhe ligjore për të mohuar të drejtën e boshnjakëve për vende të rezervuara sipas Kushtetutës dhe ligjit. Ajo theksoi se çmimi i veprimeve të tilla nuk është vetëm politik, por edhe social, pasi minon besimin midis komuniteteve dhe themelet e barazisë dhe drejtësisë.
“Pas dy përpjekjeve të pasuksesshme, presim pjekuri dhe përgjegjësi politike nga Koalicioni VAKAT. U bëjmë thirrje që të njohin cilësinë tek gratë boshnjake dhe të ofrojnë hapësirë për ato që janë pjesë e kulturës, identitetit dhe shoqërisë sonë,” tha Balje.
Ajo gjithashtu theksoi respektin ndaj përfaqësueseve të popullit shqiptar dhe komunitetit turk, duke vlerësuar mbështetjen e znj. Shinik dhe angazhimin për drejtësi. Sipas Baljes, ky angazhim mbron të drejtën e çdo komuniteti për pjesëmarrje dinjitoze dhe të barabartë në jetën politike të Kosovës.