Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > “Duart në timon, jo në telefon” – Policia e Ferizajt vazhdon fushatën vetëdijësuese për sigurinë rrugore

“Duart në timon, jo në telefon” – Policia e Ferizajt vazhdon fushatën vetëdijësuese për sigurinë rrugore

Policia e Ferizajt, në bashkëpunim me OJQ-në “Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt”, po vazhdon aktivitetet vetëdijësuese në kuadër të fushatës “Duart në timon, jo në telefon”, që synon të parandalojë përdorimin e telefonit gjatë ngasjes së automjetit dhe të rrisë sigurinë në komunikacion.

Fushata është duke u realizuar nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor dhe stacionet policore në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Han të Elezit. Gjatë këtyre aktiviteteve janë shpërndarë fletëpalosje sensibilizuese me mesazhin:

“Një sekondë në telefon mund të bëhet shumë vonë. Duart në timon, e jo në telefon.”

Në kuadër të kësaj iniciative, instruktorët e policisë kanë mbajtur edhe ligjërata në shkolla të ndryshme të Ferizajt, ku kanë informuar nxënësit për rreziqet që shkakton përdorimi i telefonit gjatë ngasjes. Qëllimi i këtyre ligjëratave është që mesazhi i sigurisë të përcillet edhe tek prindërit dhe familjarët përmes vetë nxënësve.

Fushata vetëdijësuese do të zgjasë deri më 12 tetor 2025, ndërsa nga 13 tetori, policia ka paralajmëruar masa ndëshkuese për të gjithë ata që nuk respektojnë ligjin e trafikut dhe rrezikojnë jetën e tyre dhe të të tjerëve në komunikacion.

Autoritetet policore njoftojnë se synimi është parandalimi i aksidenteve dhe ndërtimi i një kulture më të sigurt rrugore, ku të gjithë pjesëmarrësit në trafik e kuptojnë rëndësinë e përqendrimit gjatë vozitjes.