Klubi nga Gjilani, Drita do të zhvillojë sonte ndeshjen kthyese ndaj skuadrës islandeze, Breidablik në kuadër të rrethit të dytë të Ligës së Konferencës.
Gjilanasit do të kërkojnë kalimin në rrethin e tretë sonte, pasi kanë një avantazh të theksuar për këtë duel.
Përpos që zhvillojnë ndeshjen në Kosovë, ku do të kenë përkrahjen e shumë tifozëve, ‘bardhekaltrit’ kanë edhe avantazhin e epërsisë në fushë, pasi e fitoi ndeshjen e parë në Islandë me rezultat 2-1, që nënkupton se edhe një barazim sot do t’u mjaftonte për kalim tutje.
Arb Manaj e Veton Tusha shënuan në ndeshjen e parë atje, duke i dhënë skuadrës një fitore tejet të madhe, për t’i bërë gjasat e mëdha tashmë për një kualifikim të mundshëm.
Drita hodhi në shitje biletat për këtë ndeshje nga dita e djeshme, të cilat do të jenë në shitje vetëm për tribunen qëndrore (perëndim), me çmim 5€, nërsa një pjesë e tribunës prapa portës ku do të vendosen Intelektualët hyrja do të jetë falas.
Sidoqoftë, tifogrupi kosovar njoftoi dy ditë më parë se nuk do të marrin pjesë, pasi sipas tyre është kufizuar numri i tifozëve në sektorin e tyre si dhe janë ofruar bileta falas për ta.
Dueli fillon nga ora 17:00 në “Zahir Pajaziti” në Podujevë.