Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Drenasit, të ftuar nga kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, për furnizimin me ujë të pijes i qytetarëve të Komunës së Drenasit, ai ka mbajtur fjalë rasti si vijon:
Kjo mbledhje nuk ka motive politike. Nuk ka qëllim të atakojë nivelin qendror as rajonin e Prishtinës,
Kjo seancë është e ftuar për të dëshmuar gjendjen e rëndë të qytetarëve të Drenasit.
Në fillim kërkoj mirëkuptim dhe besimin e qytetarëve se ne, me të gjitha mundësitë jemi në shërbim të interesit Tuaj.
Kam deklaruar se i garantoj qytetarët për ujë të pijes 24 orë. E kam deklaruar se të gjitha përgjegjësitë tona rreth furnizimit me ujë i kryej me përgjegjësi të plotë, në kohën sa më të shkurtër si prioritet i qeverisjes tonë lokale.
Dua të pyes: A ka qëllim të keq dikush kundër qytetarëve të komunës së Drenasit.
Qytetarë të nderuar,
Po, uji është jetë. Drenasi nuk ka ujë.
Drenasi nuk meriton këtë trajtim. Ka kohë që sfida e ujit jo vetëm nuk po zgjidhet, ka kohë që kur një reshje shiu sado e vogël, ndërpritet uji me ditë të tëra për të gjithë qytetarët.
Në shekullin 21 Drenasi, po e bart sfidën e mungesës së ujit.
Kjo gjendje është e padurueshme.
Ne kishim mirëkuptim për vështirësitë e KRU Prishtina,
Ne kishim mirëkuptim për defektet në procesin e furnizimit me ujë, por, kjo e ka tejkaluar çdo kufi.
Drenasi është i diskriminuar me mungesë të ujit.
Qytetarët e Drenasit, po i bartin pasojat.
Mirëqenia e qytetarit është e lidhur ngushtë me furnizimin me ujë. Furnizimi nuk po ndodh, s’po bëhet, s’po kryhet.
Uji mungon, ndërsa prej disa viteve e kemi sinjalizuar nivel qendror se pompat e Bivolakut, jo vetëm se janë të amortizuara, mbi dyzet vjet në përdorim, por edhe të papërdorshme për nga kapacitetet e planifikuara për furnizimin me ujë.
Ne kemi investuar për infrastrukturë, por, pompat është e pamundur t’i aftësojmë edhe për faktin se janë në komunë tjetër dhe është çështje vetëm e nivelit qendror.
Prioritet i qeverisjes lokale është furnizimi me ujë.
Kujt i shërben kjo mungesë. Pushteti lokal i ofron ndihmë e përkrahje KRU Prishtinës, por nuk mund të transferohet në kompani e cila me ligj obligohet të bëj furnizimin me ujë të pijes për qytetarët e komunës së Drenasit.
Ne kemi bërë krejt çka është e mundur për të angazhuar kapacitetet alternative për furnizim me ujë.
Përkundër kapaciteteve dytësore të rezervave të ujit, si në Krajkovë, Baicë, Arllat, Llapushnik, Kizhnarekë, Gjergjicë, Kroi i Mbretit, Sankoc, etj., KRU “Prishtina”, i ka lënë jashtë funksionit këto burime, me gjithë investimet nga Komuna e Drenasit, investime të cilat nuk i takojnë Komunës.
Në tri vitet e fundit, kur u hap mundësia e vazhdimit të punës për sigurimin e ujit të pijshëm, janë investuar rreth tre (3) milionë euro, në gypat primar e sekondar të ujësjellësit, janë kryer mbi 3.000 kyçje të ekonomive familjare në ujin e pijshëm.
Janë ndërtuar nga komuna edhe stacione pompimi, janë bërë madje edhe pagesa të energjisë elektrike nga komuna.
Sigurimi i ujit të pijes bëhet nga Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, dhe komuna apo pushteti lokal mund t’i ofrojë vetëm përkrahje në infrastrukturë, punë të cilën e kemi bërë me investime të vazhdueshme.
Po ashtu deri më tani, kemi ndërtuar mbi 100 kilometra kolektorë përgjatë lumenjve Drenica e Vërbica dhe mbi 400 kilometra rrjet sekondar të kanalizimit, puna për Drenasin kampion nuk ndalet.
Punët tona shihen, punët tona vazhdojnë!
Çështja e ujit të pijes dhe ujerave te zeza është fushë veprimtari e KRU Prishtina dhe e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe presim që kjo sfidë si asnjë herë më parë të trajtohen me prioritet.
Investimi në ujin e pijes është investim për jetën e qytetarëve.