Një person është plagosur me armë zjarri sot në Fushë Kosovë.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha për Express se viktima ka pranuar tretman mjekësor.
Ndërsa drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka thënë se gjendja e viktimës është stabile.
“Është në gjendje stabile. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe jemi në pritje të rezultateve”, tha Syla për Express.
Ahmeti tha se rasti ka ndodhur rreth orës 13:00 dhe se menjëherë policia ka dalë në vendin e ngjarjes.
“Sot rreth orës 13:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Fehmi Lladrovci” në Fushë Kosovë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen ku dyshohet se nga një person është plagosur me armë zjarri dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti.