Përveç disa nismave ligjore të miratuara në Kuvendin e Kosovës, frytet e të cilave nuk u panë vitin e kaluar, sistemi i drejtësisë përgjatë vitit 2022 nuk shënoi ndonjë rezultat konkret në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërsa, sfidë për drejtësinë në vend ka qenë mos emërimi i Kryeprokurorit të Shtetit, pozitë kjo e cila ka mbetur me ushtrues detyre që nga prilli kur Aleksandës Lumezi e përfundoi mandatin. Emri i prokurorit të propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) për këtë pozitë, Blerim Isufaj vazhdon të jetë në sirtarët e zyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në vitin që lamë pas vazhduan përplasjet në mes akterëve qeveritarë dhe krerëve të institucioneve të drejtësisë, qoftë për çështjen e vettingut por edhe për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, veprime këto të cilat nga shoqëria civile po konsiderohen ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
Fundi i vitit 2022 është përcjellë edhe me dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë nga Gjykata dhe Prokuroria Themelore në veriun e Kosovës, pas vendimit për suspendim të drejtorit të Policisë në Veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, pasi ky i fundit refuzoi të zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për regjistrim të targave.
Si hap pozitiv po shihet krijimi i Gjykatës Komerciale, por mangësi në këtë gjykatë është parë mosmbështetja buxhetore.
Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, u shpreh se edhe në vitin 2022, nuk është arritur të thyhet akulli dhe të dënohet ndonjë person me burgim efektiv për krime të profilit të lartë. Sipas tij, rezultatet munguan edhe në konfiskimin e pasurisë.
Por, në aspektin legjislativ, sipas Shalës, janë miratuar një numër i konsiderueshëm i ligjeve në Kuvendin e Kosovës.
Shala: Nuk janë shënuar rezultate konkret në luftim të korrupsionit dhe krimit të organizuar
“Edhe gjatë këtij viti nuk është thyer ai akulli që të kemi një person të profilit të lartë të dënuar me burgim efektiv, dhe do të thotë në njëfarë forme i bie se ende nuk janë shënuar rezultatet e para konkrete, derisa nuk ka dallueshmëri të theksuar në kuptim të vlerave të konfiskimit të pasurisë, pra një qasje kryesisht e njëjtë në kuptim si qëllim kryesor në çështjet penale siç është luftimi i korrupsionit të profilit të lartë dhe krimit të organizuar. Në anën tjetër, nëse shohim aspektin legjislativ, gjatë këtij viti janë miratuar një numër i konsiderueshëm i ligjeve në Kuvendin e Kosovës… Vettingu është ende larg në kuptim të procedurave për shkak se tani ditë më parë është themeluar komisioni dhe nuk janë draftuar as amendamentet kushtetuese dhe as ligji për vettigun, nuk ka ende vendim të Gjykatës Kushtetuese që lejon këtë proces, ashtu siç kërkohet në nenin 113 të Kushtetutës, për këtë arsye ka një stagnim në këtë pjesë. Një aspekt tjetër tepër i rëndësishëm është reforma në Këshillin Prokurorial të Kosovës… Ky ligj është atakuar në Gjykatën Kushtetuese dhe fatkeqësisht tash e dy muaj përkundër që ka qenë e obliguar që brenda dy muajve të marrë një vendim, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka vendosur dhe ka mbetur pezull”, theksoi Shala.
Hulumtuesi i IKD-së, thekson se viti 2022 është përcjell me problematika të shumta si ajo e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, ulja e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, por edhe numri i lartë i lëndëve civile që janë në pritje.
Shala: Viti 2022 ishte vit pa Kryeprokuror të Shtetit
“Ky vit është pa Kryeprokuror të Shtetit dhe që mbi të gjitha ndërlidhet me faktin që KPK kishte zhvilluar një proces me integritet të kontestuar nga i cili proces nuk mund të dal emri për kryeprokuror të shtetit. Edhe gjatë këtij viti ndoshta më pak se një vit më herët kanë qenë përplasjet në mes të Qeverisë dhe sistemit ë drejtësisë, mirëpo problematikat e njëjta kanë vazhduar që Qeveria dhe akterët qeveritarë janë prononcuar për çështje të veçanta që bie në kundërshtim me parimet e sundimit të ligjit, mirëpo, aspekti më problematik dhe skandaloz ka qenë vendimi për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve që ka paraqitur qartazi një ndërhyrje në sistemin e drejtësisë… Problematika më e madhe qëndron në fushën civile, në këtë fushë tani më e ka humbur kuptimin edhe zhvillimi i çdo strategjie për zgjidhjen e numrit të lëndëve të grumbulluara dhe kjo për shkak se numri i lëndëve të grumbulluara është rritur aq shumë sa që gjendja ka dal nga kontrolli dhe e gjithë kjo ka ardhur për shkak të moszbatimit të obligimit nga ana e institucioneve të administratës të obligimeve që dalin nga kontrata kolektive”, tha ai.
Drejtoresha e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli thekson se përveç rastit “Brezovica”, që pasoi me arrestime dhe konfiskime, institucionet e drejtësisë nuk kanë bërë ndonjë hap pozitiv për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Edhe Demolli thotë se vitin e kaluar janë ndërmarrë disa nisma ligjore rezultatet e të cilave nuk janë parë ende. Madje, ajo për procesin e vettingut shprehet mjaftë skeptike që mund të ketë rezultate edhe në vitin 2023.
Demolli: Nuk kemi parë ndonjë ndryshim thelbësor në sistemin e drejtësisë
“Fatkeqësisht jo nuk kemi parë ndonjë ndryshim thelbësor, apo të paktën nuk ka ndodhur një diçka nga ato shumë premtimet e fushatës zgjedhore të dhëna nga partia në pushtet. Po kemi disa lëvizje, kemi disa nisma ligjore që janë më se të mirëpritura por fatkeqësisht rezultatet e tyre nuk i pamë këtë vit e që sipas procesit si është duke vazhduar, kam dyshime se edhe në vitin 2023, do të shohim ndonjë frutë të këtyre ndryshimeve apo efekt pozitiv të këtyre ndryshimeve ligjore që janë duke ndodhur… Rasti i ‘Brezovicës’, përndryshe në aspekte tjera shumë pak ose fare ka ndryshime sa i përket luftimit të korrupsionit krejt ndryshimet janë bazuar në nisma ligjore e kemi ligjin për Byron që fatkeqësisht u deshtë sërish të shkoj në Komisionin e Venecias, kemi procesin e vettingut që edhe ky është vonuar ta them ashtu dhe nuk pritet edhe 6 muaj tjerë të përfundohet procesi brenda Kuvendit, shumë me dyshim e shoh nëse do të arrijmë ta realizojmë marrë parasysh situatën aktuale politike se nëse dëshirojmë ndryshime kushtetuese pa edhe partitë të minoriteve do të jetë vështirë e arritshme, prandaj kam pak hezitim nëse do të kemi vetting vitin e ardhshëm”, theksoi Demolli.
Sipas Demollit, sfidë kryesore e vitit 2022 për sistemin e drejtësisë ishte çështja e Kryeprokurorit të Shtetit, pozitë kjo që po vijon të ketë ushtrues detyre.
Demolli: Sfida kryesore është se pozita e Kryeprokurorit të Shtetit po vazhdon të jetë me ushtrues detyre
“Sfida kryesore vazhdon vendi ende të ketë ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit së shpejti bëhet 1 vit që prej kur ka filluar ky proces dhe ende nuk e kemi përgjigje pozitive nga ana e presidentes nëse do ta emërojë apo kthejë në pikën zero komplet procesin e rekrutimit të Kryeprokurorit të Shtetit. Ndryshimet janë po këto ndryshime, nuk kanë shkuar si duhet, marrë parasysh se partia në pushtet e ka numrin e mjaftueshëm në Kuvend dhe nuk do të duhej të zvarriteshin proceset kaq gjatë, të paktën këto ligjet që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi”, thotë ajo.
Se gjendja në sistemin e drejtësisë nuk është e mirë e pranon edhe vetë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila thotë se qytetarët vazhdojnë të mos kenë besim në institucionet e drejtësisë.
Por, ajo konsideron se janë bërë disa lëvizje pozitive sa i përket trajtimit të rasteve të dhunës në familje, si dhe luftimit të korrupsionit.
Haxhiu: Nuk kemi asnjë rast korruptiv si qeveri, ka lëvizje tek rastet e dhunës në familje
“Unë mund të them se në disa raste ka përmirësime ta zëmë pavarësisht që ne kemi kritika ende në kuptim të adresimit të dhunës në familje femicidit dhe të tjera ka lëvizje, por ende nuk është mjaftueshëm sepse ende ka prokurorë dhe gjyqtarë që ende nuk e kryejnë detyrën siç duhet. Sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit ne jemi të vetëdijshëm që në Prokurorinë Speciale janë pluhurosur dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar megjithatë ka disa lëvizjes të kohës së fundit të rastit ‘Brezovica’ e ‘Subvencionet’ raste të tjera… Qeveria jonë edhe përkundër faktit që është më shumë se një vit e gjysmë në qeverisjes ende nuk ka skandale korruptive, madje përveç kësaj të gjitha shkeljet që i kemi gjetur në institucionet që ne përfaqësojmë ne i kemi dërguar tek organet kompetente. Nuk ka pas ndonjëherë ndonjë qeveri të tillë, por mund të them që kemi edhe shumë punë për të bërë por jam e bindur që reforma në drejtësi do të siguroj që të kemi persona me integritet moral dhe profesional”, tha ajo.