Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka njoftuar se neurologu i njohur Dr. Gentian Lila i është bashkuar kësaj partie. Përmes një shkrimi publik, Haradinaj e ka mirëpritur Lilën në AAK, duke e vlerësuar atë si profesionist të përkushtuar në shërbim të qytetarëve.
Sipas Haradinajt, Dr. Lila vjen nga një familje me traditë në shërbim të shëndetësisë dhe komunitetit, duke përmendur kontributin e të atit, Dr. Rifat Lila, i cili ka ushtruar profesionin me përkushtim në Gjakovë, Prishtinë dhe mbarë vendin.
Haradinaj ka bërë të ditur se me Dr. Gentian Lilën do të garojnë së bashku në zgjedhjet e ardhshme, me synimin – siç tha ai – “t’i japin një krah të ri Kosovës”.