Shkruan: Agron Hoti
Nuk do koment që krimineli, Nazim Bllaca, përbën vetëm majën e piramidës së një armate të tërë kinseshqiptare në Kosovë dhe jashtë saj të rekrutuar, paguar, koordinuar, kontrolluar dhe ngrehur më pas për hunde nga Serbia, Rusia dhe evropianët, këta të fundit (evropianët) të detyruar nga rusët sidomos nga viti 2001 deri në 2022 kur po vareshin gjithnjë e më shumë nga energjia dhe tregu i madh rus.
Rezistenca e Ukrainës kundër Rusisë që çoi në luftë të hapur në shkurt 2022 ua prishi tërësisht planet pro-ruse të evropianëve, të cilët zyrtarisht po synonin që deri në vitin 2050 të ndërtonin një zonë të përbashkët energjetike evropiano-ruse. Kjo aleancë në ngjizje e sipër evropiano-ruse, gjithnjë sipas kushteve ruse, po shkonte në kundërshtim të plotë me interesat e SHBA-së dhe popullit shqiptar.
Ishte pikërisht kjo periudhë (2001-2022), ku evropianët e detyruar nga rusët po e ringrisnin aparatin e Millosheviqit në Serbi me në krye Vuçiçin me shokë dhe po e ulnin Hashim Thaçin me shokë. Qëllimi atëherë dhe sot ka qenë kriminalizimi i luftës së UÇK-së (përmes Gjykatës Speciale), përçarja, thyerja e Kosovës nga brenda, nxitja e kaosit dhe paralizimit institucional (siç aktualisht është Kosova), nxitja e islamit politik dhe atij radikal për ta prishur harmoninë dhe kohezionin kombëtar (ku aktualisht po rrëshqasim), refuzimi nga qytetarët e Kosovës sa më shumë i Perëndimit të kryesuar nga SHBA (siç aktualisht është Kosova) dhe më pas zhbërja e shtetit të Kosovës, të cilin Serbia dhe Rusia vazhdojnë ta shohin si projekt amerikan.
Ndërkohë, armata kinseshqiptare në Kosovë e tërhequr për hunde nga Serbia, Rusia dhe evropianët përbëhej dhe vazhdon të jetë e përbërë nga një pjesë jo e vogël e politikës, pastaj disa mediave, shoqërisë civile, opinionistëve të ndryshëm dhe thashethemexhinjëve që edhe sot s’lënë të zezë pa thënë në popull kundër UÇK-së dhe Krerëve të saj.
E dosja e kriminelit Bllaca – që po publikohet pikërisht tash kur po afrohet gjykimi final në Gjykatën Speciale – është në funksion të diskreditimit dhe shkatërrimit total edhe të asaj besueshmërie të ngelur të Gjykatës Speciale brenda dhe jashtë Kosovës dhe gjithë atyre që në bashkëpunim me Serbinë dhe Rusinë kontribuan në ngritjen e saj.
Prandaj, s’është fare e rastësishme që përballë kësaj dosjeje të kriminelit Bllaca po heshtin sot në Kosovë shumë përfaqësues të politikës, medias, shoqërisë civile, opinionistëve të ndryshëm dhe thashethemexhinjëve të shumtë, sepse ia kanë frikën se mos po iu dalin në dritë të palarat e tyre kundër historisë, të ardhmes së Kosovës dhe tërë popullit shqiptar.