Shkruan: Afrim Kasolli
Sa më shumë kohë që po kalon, aq më qartë po bëhet se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, është katandisur në një rrugë pa shtegdalje.
Këtë shqetësim në mënyrë publike i pari e kishte artikuluar, ish-Sekretari i jashtëm britanik, David Cameron, gjatë një raportimi para Komitetit për punë të jashtme në Parlamentin e atij shteti, kur kishte deklaruar se strategjia e deri-tanishme e komunitet trans-atlantik për Kosovën ishte e dizajnuar para sulmit agresiv të Rusisë mbi shtetin e Ukrainës. Prandaj pat pohuar atëbotë ky kryediplomat “ tani duhet të mendojmë më shumë lidhur me atë se çfarë ka ndryshuar, sepse sigurisht Rusia dëshiron të bëjë më shumë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, të bëjë më shumë përmes bashkëpunëtorëve të saj, përfshirë Serbinë, t’i bëjë këto shtete, përfshirë Moldavinë më pak të sigurta”. Kështu, ne duhet të punojmë për të gjetur mënyra se si ta luftojmë këtë. Mendoj se politika jonë është e ashpër dhe realiste”.
Një qasje tjetër ndaj këtij procesi, kishte kërkuar edhe Parlamenti Evropian. Nëpërmjet një rezolute deputetet e këtij institucioni insistonin qw BE-ja “ ta ndryshojë qasjen në dialog në mënyrë që të ketë përparim. Sepse, dështimi i këtij dialogu po ashtu do të reflektojë në rolin e BE-së si një faktor i besueshëm në politikën e jashtme”.
Se dialogu më nuk është në funksion të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve e pranoi edhe dje Shefja Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, në një intervistë për Evropën e Lirë. Top diplomatja e Brukselit, nën kompetencat e së cilës menaxhohet ky proces ka pohuar se “duket që dialogu ka ngecur pak, sepse palët vetëm po ankohen për njëra-tjetrën. Mendoj se duhet ta mbajmë qëllimin përfundimtar në mendje – normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, në mënyrë që të mund të ecin përpara në rrugën evropiane” Ajo ka pohuar se në funksion të kësaj agjende mbase si mjet ndoshta mund të jetë dialogu, ndoshta një mjet tjetër”. Por pa specifikuar se për çka konkretisht është fjala. Pra a duhet të ndryshojë qasja asimetrike e BE-se ndaj Kosovës dhe presioni të shpërndahet edhe mbi Serbinë. Sepse në fund të fundit ky shtet e ka shndërruar dialogun në mjet për ta bllokuar ndërkombëtarisht Kosovën, sidomos nëpërmjet lobimit në shumë shtete që dikur i takonin bllokut të painkuadruarëve me pretendimin se pikërisht dialogu i Brukselit mbetet dëshmi se statusi i Kosovës mbetet i hapur, për çka edhe po negociohet. Një qasje kjo që realisht ka qenë në kundërshtim me shumë prej marrëveshjeve që palët janë dakorduar qw sa ka filluar ky proces e deri të pajtimi i fundit për Marrëveshjen bazë të Brukselit dhe Aneksin e zbatimit në Ohër. Apo më në fund, edhe BE-ja është lodhur nga ky aranzhim dhe më në fund do të insistojë në një marrëveshje të madhe kur njëherë e përgjithmonë do të përmbyllet ky cikël rraskapitës i dialogut.
Në këtë kontekst, mbetët të shihet gjatë ditëve në vijim se për çka e pasur konkretisht fjalën Kaja Kallas. Mirëpo, ka pak shpresa se në gjendjen aktuale në të cilët ndodhet ajo, mund të pritet një dinamizëm i ri i këtij procesi. Sa i përket Marrëveshjeve të fundit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe dihet se botërisht ato dervionin nga plani franko-gjerman me mbështetjen amerikane.
Mirëpo, sot si Parisi ashtu edhe Berlini ndodhen në një situatë të palakueshme politike për shkak të tensioneve gjithnjë e më të hapura me Uashingtonin. Po ashtu, ndër karotat joshëse për t’i bindur palët drejt një fryme më konstruktive ka qenë premtimi për integrim në BE. Por sot ky opsion as që duket në horizont. Dhe një skenar i tillë është iluzion se mund të bëhet realitet pa pjesëmarrjen aktive të Uashingtonit.
Bie fjala nëpërmjet analizës “Relaunching the Kosovo-Serbia Dialogue”, Grupi Ndërkombëtar i Krizave kishte pohuar se tri opsione janë si më realiste për t’i dhënë fund këtij konflikti të papërfunduar. E para nëpërmjet garantimit të një autonomie më të madhe për pjesën veriore, e dyta më anë të asaj që quhet si këmbim i territoreve apo korrigjim i vijës kufitare dhe e treta që BE-ja nëpërmjet një infuzioni të madh financiar ta josh Serbinë që të pajtohet për humbjen e Kosovës.
Mirëpo, realisht sot asnjëri prej këtyre skenarëve nuk duket i mundur. Prandaj, edhe mjerisht dialogu nga medium për normalizim të marrëdhënieve është shndërruar në instrument të një denormalizimi më të madh. Dhe që të gjithë pajtohen se ai ka dështuar. Por që askush nuk e dinë se di duhet të dilet nga ky ngërç.