![](https://www.arberia.tv/wp-content/uploads/2025/01/pdk-2025.gif)
Shkruan: Afrim Kasolli
Para pak çasteve media të shumta njoftuan se kryeministri i Serbisë, Millosh Vuceviq do të jap dorëheqje. Ky veprim vjen si rezultat e një vale të madhe protestash në atë shtet, pas më shumë se dy muajve. Këto të fundit shpërthyen pas aksidentit në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku pas shembjes së kulmit vdiqën 15 persona. Me këtë rast, studentë nga 60 fakultete, të cilat funksionojnë brenda universiteteve të Beogradit, Novi Sadit, Nishit dhe Kraujevcit, kishte ditë që kishin bllokuar punën e këtyre institucioneve. Kurse po ashtu nën thirrjet studentore u mbajt edhe një e grevë përgjithshme së cilës iu bashkuan shumë institucione kulturore, avokatë, disa shkolla dhe qindra kompani private.
Nën sloganin se i keni “duart e lyera me gjak” llava e reagimet qytetar po agravohej gjithnjë e më shumë. Presioni po shtohej dita ditës mbi mbartësin kryesor të pushtetit në atë shtet, presidentin, Aleksandar Vuçiq. Madje edhe këtë kthesë të papritur në ekzekutivin e Serbisë duhet kuptuar si një përpjekje dinake nga ana e tij me qëllim për të shpëtuar vetën, duke i sakrifikuar edhe vartësit e tij politikë. Kështu, kryeministri Millosh Vuceviq, nuk është asgjë tjetër pos viktimë e lojërave tinëzare për të mbijetuar lideri. Për më shumë, Qeveria aktuale, por jo vetëm kjo, ishte përballur më protesta qytetare edhe për tema tjera. Kohë më parë grupe ambinetaliste kishin shprehur pakënaqësinë e tyre kundër nënshkrimit të marrëveshjes për shfrytëzimin e elementit kimik të litumit në luginën e Jadrës, për nevojat ekonomike të industrisë automobilistike gjermane. Mirëpo, si duket reagimi i fundit ishte më masivi.
![](https://www.arberia.tv/wp-content/uploads/2025/01/ldk-2025-1.gif)
Sidoqoftë, Qeverisë që sapo i erdhi fundi, nuk ishte asgjë tjetër, pos shprehje e një konfiguracioni politik të qasjes strategjike duale të presidentit serb edhe me Rusinë edhe me Perëndimin. Prandaj nuk është e rastësishme që në mesin e saj kishte figura të afërta me Kremlinin. Siç dihet, në kuadër të këtij kabineti qeveritar kishin zënë vend protagonistë si Aleksandër Vulin, i cili një kohë e kishte mbajtur pozitën e ish-udhëheqësit të shërbimit të inteligjencës, e që është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – mes tjerash për shkak të lidhjeve me Rusinë, si dhe Nenad Popoviq, si ministër pa portofol që po ashtu, ndodhet në “listën e zezë” të SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë. Pra emërimi i tyre në këto poste shihej qartë se ishte bërë me qëllim që t’i transmetohej një mesazh Moskës se ajo do të vazhdojë ta ruajë ndikimin e saj edhe në qeverinë re serbe. Kurse për pozitën e ministrit të Punëve të Jashtme ishte përzgjedhur, Marko Gjuriq, ish-ambasador i Serbisë në SHBA, dhe që kohën e fundit është dalluar me afrimin diplomatik dhe ekonomik te vendit të tij me superfuqinë planetare.
E ky realitet në fakt e pasqyron një krizë më të thellë strukturore të politikës serbe të drejtuar nga Aleksandar Vuçiq. Ku në njërën anë ai mëtonte ta forconte pozicionin gjeopolitik të vendit të tij në sytë e diplomacisë perëndimore nëpërmjet investimeve nga kjo botë, por edhe nga Kina, si dhe anën tjetër për t’i ruajtur lidhjet simbiotike me Rusinë, e duke qeverisur në kundërshtim me standardet demokratike. Dëshmi e kësaj loje të dyfishtë mbetet edhe fakti se si i njëjti edhe kishte pranuar t’i shes armë ushtrisë së Ukrainës kundër agresionit imperialist të Moskës, por edhe nuk ishte pajtuar për t’i vendosur sanksione regjimit të Putinit për shkak të këtij pushtimi të pa precedent, sipas kërkesave të Brukselit. Ndërkohë, mjerisht edhe burrështetas perëndimor ishin pajtuar më këtë hipokrizi të kryetarit serb, kur ishin në pyetje interesat e tyre financiare. Kështu të gjithëve na kujtohet se si presidenti francez Emanuel Makron, gjate një konferencë për shtyp para mediave, mu zemër te kryeqytetit serb, kur u pyet për politiken duale te Serbisë edhe me Rusinë edhe me Perëndimin, dhe refuzimin e te pares për t’i vene sanksione te dytës, për shkak te pushtimit te Ukrainës, ai deklaroi se e respekton “sovranitetin e Serbisë”. Një arsyetim tipik cinik i motivuar nga interesi për shitjen e aeroplanëve Rafale, me vlere deri ne 2.8 miliardë.
Prandaj, kjo dorëheqje nuk shënon asnjë ndryshim në Serbi, për aq kohë sa fryma politike e sipër cekur në atë shtet mbijeton. E nëse ka diçka që nga koha e Miloshevqit, që mjerisht i ka shoqëruar protestat në Serbi, ka qenë fakti se reagimet e kohëpaskohshme masive e kanë mishëruar pikërisht të njëjtën frymë të atij pushteti që e kanë kundërshtuar. Prandaj, nuk është e rastësishme që edhe sot në pushtet ndodhen të njëjtit trashëgimtarë të regjimit të viteve ’90. Pra Serbia, deri më tani ka mbetur një shembull eklatant se si një vend mund ta “forcojë cezarizmin edhe duke e luftuar Cezarin”./tvarbëria/
![](https://www.arberia.tv/wp-content/uploads/2025/01/nisma-2025.gif)