Rilind Gërvalla është përgjegjësi për transmetimin e dezinformatës në mediumin publik se disa media në Kosovë po vihen nën kontrollin e Serbisë.
Një mbledhje e bordit të RTK-së u mbajt dhe u paralajmërua formimi i një komisioni “për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim”, përpara se njeriu që u bë drejtor i RTK-së si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje të dilte të nesërmen si përgjegjës, për të thënë se ai “lajm” duhej të jepej. I bindur u shpreh se komisioni do t’i japë të drejtë atij. Dhjetëra gazetarëve që punojnë në RTK të cilët u distancuan publikisht, i paralajmëroi se transmetuesi publik do të vazhdojë të funksionojë në këtë mënyrë.
Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës Rilind Gërvalla e mori përgjegjësinë për një “lajm” të publikuar në lajmet qendrore të së hënës se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq po i merr në dispozicion disa media të Kosovës.
Lajmi i rremë doli edhe në web-faqen e televizionit, ku u përmendën dy mediume, Periskopi dhe Nacionale. RTK-ja citonte një artikull të “Slobodna Bosna”, një portali boshnjak, duke shkruar se Periskopi është “nën kontrollin e drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Milan Radoiçiq”, dhe se së fundmi “është bërë një transaksion miliona dollarësh te Nacionale”.
Përgjegjësia për një lajm të tillë thjesht akuzues të cilën e mori indirekt drejtori, në një situatë normale do të përcillej me dorëheqje. Por ky nuk ishte rasti me Rilind Gërvallën mbrëmë, i cili një orë e gjysmë para mesnatës publikoi një postim në Facebook ku nuk po e kërkonte as përgjegjësinë editoriale për dhënien e këtij “lajmi”. Sepse përgjegjësi ishte vetë.
Mundin për të shkruar, Gërvalla e kishte marrë për një arsye. Ai do të jepte “përgjigje të bollshme” se portali boshnjak “është medium serioz”.
“Pra, po përsëris, ‘Bosna e Lirë’ njihet si medium serioz. RTK përcjell rregullisht lajme nga mediume të huaja me rëndësi që shkruajnë për Kosovën. Gjykoj se këtu nuk kishte motiv objektiv për të censuruar lajmin e një mediumi serioz”, shkroi Gërvalla. Këtu u përqëndrua postimi i tij.
Si për fasadë, bordit të transmetuesit publik të vendit iu desh ta mbante një mbledhje të jashtëzakonshme të martën, pas së cilës gënjeu se Periskopin dhe Nacionalen “RTK në asnjë raportim nuk i ka përmendur”, ashtu siç gënjeu për këtë edhe drejtori i RTK-së mbrëmë. Teksti në web-faqe ishte modifikuar dhe ishin hequr emrat e dy mediumeve, gjë për të cilën ka “screenshots” që dëshmojnë.
Bordi, i cili i emëron e i shkarkon drejtorët e RTK-së, tha se është shqetësuar për publikimin e “artikullit kontrovers në RTK”, të cilin e cilësoi si “lëshim të qartë”. U paralajmëruan formimi i një komisioni “për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim”, si dhe “masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së”.
Çuditërisht, një ditë pas kësaj mbledhjeje në të cilën mori pjesë, drejtori, përgjegjësi i këtij “lëshimi të qartë”, tregoi se për të ky nuk është lëshim, por një gjë që do të duhej të transmetohej.
Është gjithashtu çudi që vetë përgjegjësi e përshëndeti ndërmarrjen e këtij hapi si “një mënyrë e mirë për të shqyrtuar detyrat dhe pritshmëritë profesionale në RTK”, i bindur se komisioni do t’i japë të drejtë atij.
“Jam i bindur se komisioni do të konfirmojë parimet bazë dhe caqet e standareve etike të gazetarisë, duke vendosur në plan të parë të drejtën sipërore të publikut për informim. E mbi të gjitha të drejtën e RTK-së për të qenë në krye në raportimit edhe kur prej tij ka debat shoqëror”, shkroi Gërvalla.
Dhjetëra gazetarë që punojnë në RTK u distancuan publikisht nga transmetimi i atij “lajmi”, duke mos pranuar që turpi të bie edhe mbi ta.
Fatkeqësisht ata mbrëmë lexuan nga drejtori i tyre, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje që s’ka qenë kurrë gazetar, se RTK do të vazhdojë të funksionojë në këtë mënyrë.
“Kjo nuk mund të na ndalë ne do të raportojmë edhe për ato procese”, paralajmëroi Rilind Gërvalla.
Disave nuk mund t’u ishte dukur larg mendsh që kjo ditë mund të vinte, kur Gërvalla u zgjodh drejtor i kanalit RTK 1, 3 dhe 4 në fillim të vitit të kaluar. Këtë pozitë e kishte synuar një aktivist i partisë në pushtet, gjë që në rrethana normale do ta kishte diskualifikuar atë nga gara.
Por ai është drejtor sot. Njeriu që kishte qenë edhe donator i LVV-së, siç dëshmon një raport vjetor financiar i vitit 2020 dhe që kishte qenë i pranishëm në shumë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.
Kur RTK-ja e transmetoi lajmin e rremë të hënën, të njëjtin e shpërndanë me shpejtësi eksponentë të LVV-së, partisë në pushtet. Ndër ta, koordinatorja e Komitetit të LVV-së, Dejona Mihali, e cila e pati një përshkrim të ngjashëm si të Rilind Gërvallës për portalin boshnjak.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka alarmuar se “fushata si kjo rrezikon seriozisht sigurinë e gazetarëve të këtyre dy mediave”, duke thënë se “Vetëvendosja e deputetët e saj duhet të mbahen përgjegjës për nxitjen e urrejtjes dhe sulmeve potenciale kundër tyre”.
AGK-ja, së bashku me shumë organizata joqeveritare dhe aktivistë të shoqërisë civile u bashkuan për të kërkuar njëzëri dorëheqjen e bordit të RTK-së për “mungesë të pavarësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e mandatit të tyre”, pas kësaj situatë të krijuar.
“Në vend se të suspendonte të gjithë përgjegjësit për lëshimin e kësaj dezinformate, Bordi i RTK-se u mjaftua me një shprehje të ‘keqardhjes’ për artikullin në fjalë dhe formimin e një komisioni për të ‘sqaruar situatën’ duke mos u distancuar apo kërkuar falje. Është tejet shqetësues fakti që artikullin diznformues të publikuar nga RTK-ja, bordi e ka cilësuar si ‘kontravers’ dhe ka deklaruar të pavërteta se kinse RTK nuk ka përmendur emrat e mediumeve. Kjo është bërë për të zbutur kështu skandalin që i ka ndodhur transmetuesit publik dhe duke anashkaluar faktin se ky lajm bie në kundërshtim me Ligjin e RTK-së, Statutin e RTK-së dhe Standardet Profesionale. Formimi i komisioneve është metodë e njohur që përdoret për të tej zgjatur procedurat me shpresën që publiku do të harrojë”, thuhet në reagimin e përbashkët të OJQ-ve dhe aktivistëve.
Përtej ngjarjes së fundit, shoqëria civile dhe aktivistët thanë se “një sërë zhvillimesh tjera kanë ndodhur në RTK që japin indikacione të qarta që bordi i transmetuesit nuk funksionon më i pavarur nga partia në pushtet”.
Portali boshnjak publikoi një tjetër shkrim të mërkurën, por e zëvendësoi pretendimin për “milionat”.
“Slobodna Bosna” shkroi kësaj radhe se “mediat kosovare janë nën observimin e njerëzve të Vuçiqit”. Rreshtat për “milionat”, portali boshnjak pranoi se i shkroi “sipas burimeve nga Kosova”, ndonëse u thirr në “sekrete të BIA-s”.
Se “burimet nga Kosova” e kanë thënë të vërtetën, portali boshnjak tha se “e dëshmon edhe shkrimi i revistës britanike Frontliner” – si “britanike” iu referua web-faqes në pronësi të Vudi Xhymshitit, një fotografi kosovar që paraqitet si gazetar, për pretendimet e rreme të të cilit në maj iu desh edhe Departamentit amerikan të Shtetit që të reagonte.
I dërguari i deriatëhershëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kishte reaguar edhe vetë ndaj shpifjeve që Xhymshiti i kishte bërë ndaj tij, duke theksuar dezinformatat e prodhuara nga “një i ashtuquajtur gazetar”, siç i është referuar atij.
“Ky raportim doli pak kohë pasi unë komunikova me qeverinë e Kosovës”, kishte thënë Escobar.