Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Art > Donika Dabishevci vjen me një libër poetik kushtuar viktimave të luftës

Donika Dabishevci vjen me një libër poetik kushtuar viktimave të luftës

Nga sot mund ta gjeni në librari librin më të ri të poetes Donika Dabishevci, “E gjithkohshmja Andërr” , botuar nga Shtëpia Botuese “Littera”.

Poetja Dabishevci është e njohur për poezitë e saja pasionante kushtuar dashurisë, përkthyer në 11 gjuhë të huaja, dhe në tri si libër të veçantë. Edhe në këtë libër, siç thotë autorja në njoftimin e saj për botimin e librit, ajo i këndon dashnisë, pasi sipas saj dashnia është pikërisht kryefjala e saj poetike.

“Lexuesit m’njohin si poete t’dashnisë, pasi dominante e poezive të mia është dashnia. Dashnia si synim jetësor, si përjetim, si gjendje, si përvojë, si legjitimim i vetë jetës, ekzistencës sonë. Edhe në këtë libër dashnia asht kryefjalë poetike. Frymon e pulëson n’secilën poezi, n’secilën strofë, n’secilin varg. Por, kësaj radhe – dashnia për jetën. Edhe në momentet ma t’randa, ma t’ errëta, ma t’mynxyrshme. Edhe në luftë!”, thekson Dabishevci duke bërë me dije se në libri i ri u kushtohet viktimave të luftës.

“Është rekuiem poetik për t’vrarët, t’masakruemit, t’dhunuemit, t’gjymtuemit, për t’therrunit e t’djegunit për s’gjalli. Për bebet e fmijtë e ndamë mizorisht prej jete. Për nanat mbetun qyqe n’themele shpijash t’rrënueme. Për nuset me duvak t’zi e shpirtnat e djegun t’jetimave. Për vorret pa emna e eshnat pa vorre…”.

“Ka qenë e vështirë që tmerrin e luftës dhe gjithçka që ajo thërmon e përbinë në ingranazhet e saja me e nyjëtu poetikisht, t’parënduem emocionalisht e t’realizuem artistikisht. Distanca kohore, puna, leximet e rikthimet e shpeshta te çdonjana prej poezive, besoj, e kanë ba t’mundun këtë”, thotë autorja e librit, Donika Dabishevci.

Redaktor i librit, shkrimtari dhe studiuesi Gëzim Aliu, i cili ka shkruajtur parathënien e librit, ndër të tjera thotë: “Poetja e ka aftësinë që skenat, ngjarjet, storiet e rënda, të tmerrshme, të lemerishme, t’i krijojë estetikisht bukur, çfarë është shumë e vështirë, pothuajse e pamundshme”.

“Trajtimi poetik i luftës, kur e njeh luftën, kur e ke përjetuar luftën, kur ende nuk e dimë a e kemi tejkaluar traumën e saj, është ripërjetim, edhe për poeten, edhe për lexuesit. Të futesh në pellgun e gjakut me mjete poetike, letrare, estetike, të dalësh, të rrëfesh, të shpëtosh, të bësh art, është madhështi shpirti. Donika e dëshmon madhështinë shpirtërore e mjeshtërinë letrare me “E gjithkohshmja Andërr”.

Për ballinën dhe dizajnin është kujdesur Arbër Murturi.

/TV Arbëria

Themes by WordPress