Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Art > Doli nga shtypi monografia “Gazmend Zajmi – një jetë për Kosovën” e autorit, Nuhi Bytyqi

Doli nga shtypi monografia “Gazmend Zajmi – një jetë për Kosovën” e autorit, Nuhi Bytyqi

Aspektet të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë arsimore, juridike-kushtetuese, politike, shkencore e kulturore në shërbim të Kosovës janë të përfshira në mënyrë të hollësishme në monografinë me titull “GAZMEND ZAJMI – NJË JETË PËR KOSOVËN”, me autor të gazetarit të karrierës, publicistit e dokumentaristin, Nuhi Bytyqi.

Kjo monografi është realizuar pas punës më se 3 vjeçare të autorit Nuhi Bytyqi.

Në njoftim thuhet se në 504 faqe dhe në 23 kapituj të ndarë sipas tematikave dhe ngjarjeve historike, në mënyrë analitike, hulumtuese e shkencore është përfshirë e tërë veprimtaria dhe kontributi i intelektualit të përmasave botërore Akademik Prof. Dr. Gazmend Zajmit.

“Në libër argumentohet angazhimi i tij si ligjërues-profesor i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, roli dhe kontributi i tij në periudhën kur ai ishte Sekretar i Kuvendit të Kosovës, pikërisht në periudhën kur hartohej Kushtetuta e parë e Kosovës, ajo e vitit 1974. Prezantohet edhe puna e jashtëzakonshme e Gazmend Zajmit në krye të ekipit për themelimin e Universitetit të Prishtinës, kontributi i tij si Prorektor dhe Rektor i Universitetit të Prishtinës nga viti 1974 e deri në vitin 1981, roli i tij në avancimin e bashkëpunimit midis Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës, si dhe me universitetet e tjera të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, një hapësirë të veçantë në këtë monografi zë edhe qëndrimi i Gazmend Zajmit si rektor i Universitetit të Prishtinës rreth kërkesave të studentëve dhe të popullit shqiptar të Kosovës në demonstratat e njohura të pranverës së vitit 1981 në Prishtinë. Si reagoi rektori Zajmi ndaj dhunës policore mbi studentët shqiptarë, pse nuk pranoi që të paraqitej në Televizion për t’i dënuar demonstratat studentore, pse dha dorëheqja nga pozita e Rektorit dhe si u përjashtua nga Lidhja Komuniste e Jugosllavisë dhe nga procesi edukativo-arsimor në Universitetin e Prishtinës.

Po ashtu në komunikatë thuhet se një pjesë e rëndësishme e monografisë i kushtohet angazhimit profesional të Gazmend Zajmit si profesor dhe si ekspert i sistemit politik dhe kushtetues në hartimin e tekstit të Apelit të 115 intelektualëve shqiptarë kundër masave represive dhe terrorit shtetëror serb mbi shqiptarët në Kosovë.

“Në veçanti në monografi paraqitet roli i Gazmend Zajmit si autor i Deklaratës kushtetuese të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për mëvetësinë e Kosovës, hartuar më 14 qershor 1990, dhe të miratuar nga delegatët e Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990, pastaj përkushtimi i jashtëzakonshëm i Gazmend Zajmit si anëtar i parë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës me seli në Salzburg të Austrisë dhe pjesëmarrja e tij e vazhdueshme në konferencat dhe simpoziumet shkencore ndërkombëtare me qëllim të argumentimit shkencor të së drejtës së patjetërsueshme të popullit shqiptar të Kosovës për të vendosur vet për të ardhmen e tij në kuadër të shtetit të pavarur e sovran – Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

/TV Arbëria

Themes by WordPress