Spanja i ka njohur pasaportat e Kosovës, ku me këtë rast shtetasit kosovarë mund ta vizitojnë këtë vend të Gadishullit Iberik pas liberalizimit të vizave nga 1 janari i këtij viti.
Megjithatë, sipas një dokumenti të Bashkimit Evropian, Spanja nuk e ka ndryshuar qëndrimin për ta njohur pavarësinë e Kosovës.
“Spanja njeh, nga 1 janari 2024, pasaportat të lëshuara nga Kosova. Ky ndryshim nuk përbën në asnjë mënyrë njohje zyrtare të Kosovës si shtet i pavarur”, thuhet në dokument.
Gjatë ditës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njoftoi se Spanja ka vendosur t’i njohë pasaportat e Kosovës.
Ai theksoi se Spanja është destinacioni i ri që i shtohet vendeve të zonës Shengen ku qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë përmes liberalizimit të vizave, “e ku pengesë më herët ishte mosnjohja e pasaportës sonë”.
Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla e falënderoi Spanjën në gjuhën spanjolle, për njohjen e pasaportave.
/TV Arbëria