DokuFest i është bashkuar kampanjës për të ndihmuar të prekurit nga tragjedia në Turqi dhe Siri, duke i hapur dyert e kinemasë DokuKino për publikun, që nga nesër. 100% e të ardhurave nga kontributi për shfaqjen e filmave, do të shkojnë drejt organizatës bamirëse ‘World Central Kitchen’, që shërben ushqime të përgatitura nga shefi i kuzhinës për komunitetet e prekura nga fatkeqësitë natyrore dhe krizave të zgjatura humanitare.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se filmat do të shfaqen përgjatë tre ditëve (14-16 shkurt) të kësaj jave dhe se do të ketë disa sosh.
“Përgjatë tre ditëve të kësaj jave do të shfaqim një sërë filmash, duke përfshirë dokumentarin e filmbërësit turk Cem Kaya, ‘Love, Deutschmarks & Death’, filmat e metrazhit të shkurtër në mes dhe pa vend nga Samir Karahoda, si dhe dy dokumentarë të shkurtër të bërë në shkollën tonë të filmit ‘Future is Here’: ‘Time’ nga Endri Maloku dhe ‘Dedi’ nga Blendi Haxhibeqiri“, thuhet po aty.
Orari i shfaqjeve të filmave:
Të marten dhe të mërkuren (14- 15 shkurt), 19:00
LOVE, DEUTSCHMARK & DEATH – Cem Kaya
‘Love, Deutschmark & Death’ tregon historinë e muzikës së pavarur dhe mjaftë të panjohur të emigrantëve turq dhe fëmijëve e nipave të tyre në Gjermani në një mënyrë plotë jetë, dhe plotë ritëm. Në formën e një dokumentari eseistik, regjisori Cem Kaya e shpie shikuesin e vet në një univers verbues të llojllojshmërisë muzikore. Në një përvojë filmike e cilësisë më të lartë zanore, ai sjell energjinë dhe shpirtin e atyre viteve në jetë.
Të ejten (16 shkurt), 19:00
NË MES / PA VEND / TIME / DEDI
NË MES – Samir Karahoda
Kosova
2019 — 14′ / Shqip
Vëllezërit dhe bijtë që jetojnë jashtë ndërtojnë shtëpi identike për të shprehur barazinë dhe unitetin në familje. Një portret i prekshëm i familjeve që, për nevoja ekonomike, duhet të jetojnë pjesën më të madhe të jetës të ndarë dhe në kultura që nuk janë të tyret.
PA VEND – Sami Karahoda
Kosova
2021 — 15’ / Shqip
Në Kosovën e pasluftës, të shtyrë nga ambicia e mbajtjes gjallë të sportit të tyre të dashur, dy lojtarë vendës bredhin nga një vend i panjohur në tjetrin duke bartur me vete asetin e vetëm të klubit: tavolinat e tyre.
/TV Arbëria