Në kuadër të kontrolleve të rregullta në pikëkalimin kufitar të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, zyrtarët doganorë kanë ndaluar një sasi të konsiderueshme mallrash të padeklaruara, të cilat janë zbuluar gjatë skanimit të bagazheve të një udhëtari që po hynte në territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar të Doganës së Kosovës, mallrat e ndaluara përbëhen nga pajisje profesionale të përdorura për ndërhyrje estetike në fushën e transplantit të flokëve. Ndër to përfshihen instrumente mjekësore, pajisje ndihmëse, materiale sterile, preparate për trajtim pas ndërhyrjeve dhe mjete të tjera përkatëse.
“Mallrat janë ndaluar përkohësisht, deri në përfundimin e procedurave përkatëse,” thuhet në komunikatë.
Dogana e Kosovës rikujton të gjithë qytetarët dhe udhëtarët se janë të obliguar me ligj të deklarojnë të gjitha mallrat që i sjellin me vete në hyrje të territorit të vendit. Mosdeklarimi i tyre përbën shkelje ligjore dhe mund të rezultojë me pasoja të ndryshme, përfshirë ndalimin apo konfiskimin e mallrave dhe ndjekje të mundshme ligjore.