Sot, në regjionin e Prishtinës, Dogana e Kosovës ka zhvilluar një operacion kontrolli në pesë lokacione, përkatësisht depo të bizneseve të ndryshme, duke u bazuar në autorizimet ligjore që rrjedhin nga Kodi Doganor dhe i Akcizave i Republikës së Kosovës.
Gjatë këtyre kontrolleve është gjetur një sasi e konsiderueshme e mbathjeve sportive me marka të mbrojtura, si dhe një sasi e veshjeve nga tekstili. Sipas Doganës, malli i identifikuar dyshohet se nuk posedon dokumentacion përkatës për origjinën dhe zhdoganimin e rregullt në Kosovë.
Sipas Doganës, vlera e përgjithshme e mallit të sekuestruar vlerësohet të jetë rreth 800,000 euro.
Pas evidentimit të rastit, është njoftuar Prokurori Kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve të mëtejme procedurale. Me autorizimin e tij, personat e dyshuar lidhur me pronësinë e mallit janë duke u intervistuar, ndërsa malli i gjetur po inventarizohet dhe konfiskohet, për t’u transportuar më pas në depot e Doganës së Kosovës.