Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Dobësimi i Rusisë sjell fundin e Speciales

Dobësimi i Rusisë sjell fundin e Speciales

Nga Agron Hoti

Pa dobësimin e pozicionit të Rusisë në glob, e sidomos në Evropë, fundi i Gjykatës Speciale as që shihej në horizont. Rezistenca e Ukrainës së mbështetur nga SHBA e vërtetoi për të satën herën që Rusia nga viti 1905 e deri me sot nuk ia kishte dalë ta fitonte as edhe një luftë të vetme. Miti se Rusia është e fortë përballë Perëndimit përfundimisht ra në Ukrainë. E bashkë me të u dobësua edhe pozicioni i saj në Euroazi duke filluar nga: përjashtimi nga mekanizmat evropianë, izolimi nga bota, frenimi në Ukrainë, dobësimi në Ballkan (ikja e Dodikut dhe shkundja e pushtetit të Vuçiçit), në Kaukazin Jugor dhe në Lindje të Mesme.

Goditja ndërkombëtare që Rusia me aleatët e saj i kishte dhënë imazhit të SHBA-së në glob me 3 raporte të Dick Martyt në vitin 2006 dhe 2007 (për gjoja burgjet e CIA-s në Evropë) dhe në vitin 2011 (për gjoja trafikimin e organeve nga UÇK) tashmë po merr fund. Duke u munduar Rusia ta dëmtonte imazhin e SHBA-së, u bë vetë objekt hetimi ndërkombëtar: tashmë Gjykata Ndërkombëtare Penale është duke e akuzuar Rusinë për krime lufte në Ukrainë.

Lufta në Ukrainë e ka rikthyer Evropën tërësisht kah SHBA dhe i ka treguar Evropës që tash e tutje ajo nuk do të jetë më kurrfarë faktori global. Pushtetit të Vuçiçit në Serbi i janë dridhur themelet. Rusia është dobësuar në Bosnje e Hercegovinë. Qeveritë evropiane, të cilat edhe për arsye historike dhe nga detyrimi rus nuk linin të zezë pa shpifur kundër Krerëve të UÇK-së, tashmë s’po bëzajnë para fuqisë së SHBA-së. Vlen të theksohet që forcat politike proevropiane në Kosovë tashmë janë goditur nga fuqia e SHBA-së, ndaj rrëzuarja e tyre është vetëm çështje kohe.

Dëshmitë e SHBA-së dhe diplomatëve perëndimorë do të hedhin poshtë çfarëdo pretendimi të Speciales.

Dhe kështu u afrohemi ngadalë festave të fundvitit 2025, ku Krerëve të UÇK-së do t’u rikthehet lavdia ashtu siç do t’i rikthehet ajo edhe Kosovës dhe tërë popullit shqiptar që përmes UÇK-së dhe Krerëve të saj ia kishte dalë ta shporrte përfundimisht Serbinë nga trojet shqiptare, bile në aleancë të plotë me Perëndimin siç kishin ditur e bërë dhe Skënderbeu e Ismail Qemali në kulmin e tyre.