ish-deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka njoftuar se do të garojë për një mandat të ri, kësaj radhe me numrin katër. Ajo tha se vendimi nuk ka qenë i lehtë për shkak të gjendjes së saj shëndetësore dhe sfidave të shtatzënisë, të cilat e bëjnë fushatën më të vështirë se kurrë.
Kica-Xhelili theksoi se sfidat personale e kanë forcuar bindjen se politika duhet të jetë hapësirë për empati dhe bashkëpunim, jo përçarje. Ajo u zotua se do të vazhdojë të jetë zë për çështjet që i beson dhe për qytetarët që e kanë mbështetur, duke theksuar se mungesa e saj fizike gjatë periudhave të vështira shëndetësore nuk ka qenë mungesë interesi, por betejë personale për shëndetin e saj dhe të fëmijës.
“Politika e vërtetë fillon aty ku mbaron egoja personale. Hyj në këtë garë me qetësi, përulësi dhe bindjen se energjia jonë duhet të shkojë te sfidat që e mbajnë vendin peng, jo tek njëri-tjetri,” përfundoi ish-deputetja.