Nëntë për qind e vendvotimeve në vend janë hapur me vonesë sot në Kosovë, ka thënë Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim (DnV). Sipas rrjetit të organizatave joqeveritare në Kosovë, shkak i këtyre vonesave ka qenë mungesa e komisionerëve në gjashtë për qind të vendvotimeve. Në konferencën e parë të mbajtur për ditën e sotme, u tha se në 20 për qind e qendrave të votimit nuk ka qasje për personat me aftësi të kufizuara.
Ismet Kryeziu nga DnV tha se sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë dhe vendin. Ai foli edhe për procesin zgjedhor të mbajtur dje në përfaqësitë diplomatike për çka tha se kanë votuar mbi 71 për qind e qytetarëve.
“Ne sot kemi të angazhuar rreth 500 vëzhgues në 50 vendvotime të Kosovës për të përcjellë nga fillimi i hapjes procesin e votimit e deri te procesi i numërimit edhe shpalljes së rezultateve në Kosovë. Pas procesit të votimit dje që u zhvillua në 19 shtete, votimi jashtë Kosovës, kemi parë një proces ku nga të gjithë ata që kanë aplikuar për të votuar drejtpërsëdrejti në qendrat e votimit apo në përfaqësitë diplomatike të shtetit tonë kanë votuar mbi 71 për qind të qytetarëve të regjistruar. Ka qenë një proces i cili ka qenë i qetë, i përcjellë me rregulla dhe i cili ka plotësuar standardet për votim të drejt dhe të barabartë”,deklaroi ai.
Ai bëri të ditur se nëntë për qind e vendvotimeve janë hapur sot me vonesë në Kosovë.
“Nga 2589 vendvotime, sipas të dhënave që kemi nga terreni, 9 për qind e këtyre vendvotimeve janë hapur me vonesë. Është raportuar se shkak i vonesave i hapjes së vendvotimeve me kohë, ka qenë mungesa e komisionerëve në 6 për qind të vendvotimeve. Aranzhimi i vendvotimeve është bërë konform rregullave të përcaktuara nga KQZ, nuk është raportuar asnjë rast kur kabinat e votimit nuk janë vendosur në këndet e vendvotimit apo kamerat të cilat janë të përdorura për herë të parë janë vendosur në pozicion të cilat nuk cenojnë integritetin e votuesve ose fshehtësinë e votës”, deklaroi ai.
Ani pse rregullat zgjedhore nuk lejojnë, Kryeziu u shpreh se në 3 për qind të qendrave të votimit ka materiale zgjedhore.
“Ambienti dhe siguria rreth qendrave të votimit, edhe pse rregullat zgjedhore ndalojnë vendosjen e posterëve dhe materialeve të tjera në diametrin e lejuar brenda këtyre qendrave të votimit, prej 100 metrave, ne kemi parë që në 3 për qind të qendrave të votimit ende kemi posterë apo materiale të partive politike të cilat tentojnë edhe sot të ndikojnë votuesin e Kosovës”, shtoi ai.
Kryeziu shtoi se e drejta për pjesëmarrje në zgjedhje si e drejtë universale, duhet të garantohet të gjithë qytetarëve pa dallim.
“Personat me aftësi të kufizuara duhet të kenë mundësi të barabarta të marrin pjesë në jetën publike dhe politike, e me këtë edhe në votim. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm i qendrave të votimit në Kosovë vazhdojnë të jenë të pa qasshme për personat me aftësi të kufizuara dhe është raportuar se 20 për qind e qendrave të votimit, personat me aftësi të kufizuara kanë pasur qasje të pa qasshme apo pengesa në qasjen e tyre për të votuar”,përfundoi Kryeziu.
Ai tha se janë raportuar dy incidente në komunën e Prizrenit ku u është mohuar e drejta vëzhguesve qasja në informata nga komisionerët. /kp