Ish-kryeministri i Çekisë, Andrej Babish, fitoi zgjedhjet parlamentare katër vjet pas humbjes së pushtetit. Por, ai nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme parlamentare për të formuar qeverinë, të cilën e drejtoi nga viti 2017 deri në vitin 2021.
Zgjedhjet në Çeki janë monitoruar nga Bashkimi Evropian dhe Aleanca e Atlantikut të Veriut, për shkak të ndikimit të mundshëm që rezultati mund të ketë në politikën ndaj Ukrainës. Gjithashtu, shumë analistë kanë paralajmëruar se përbërja e ardhshme qeverisëse mund të përfshijë edhe partinë e ekstremit të djathtë “Liria dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” e cila ka bërë thirrje për të larguar vendin nga BE dhe NATO.
Babishi është një politikan populist i qendrës së djathtë, i cili gjatë mandatit të tij të parë ka dhënë sinjale se mund të shqyrtojë tërheqjen e njohjes së Kosovës. Raportet midis Çekisë dhe Kosovën, të cilat janë njollosur nga axhenda pro-serbe e ish-presidentit çek, Millosh Zeman, mund të pësojnë sërish tronditje nën Babish 2.
Gjatë një vizite të realizuar në Beograd në vitin 2019, ish-presidenti pro-rus deklaroi se “nuk e pëlqen Kosovën” dhe “do të propozojë” që qeveria çeke të tërheqë njohjen, duke ushtruar presion edhe ndaj Babishit, i cili, gjithashtu, konfirmoi se do të shtyjë përpara tërheqjen e njohjes nën arsyetimin se njohja ishte “gabim diplomatik” i Çekisë.
Çështja e shtetësisë së Kosovës ka qenë herë pas here një temë që ka ndarë politikën e brendshme të Çekisë, ku politikanët çekë shpesh janë përplasur rreth qëndrimit të Pragës. Megjithatë, presidencën çeke e udhëheq gjenerali në pension, Petr Pavel, i cili është mbështetës i fuqishëm i Kosovës dhe qëndrimeve pro-BE dhe pro-NATO, shkruan Albanian Post.
Ndryshe, përplasja e parë mes presidentit dhe qeverisë për Kosovën ndodhi para ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999. Vaclav Havel, presidenti i atëhershëm i Çekisë, luajti një rol kyç në formësimin e qëndrimit të çekëve, duke triumfuar mbi qëndrimet e udhëheqësve të dy partive kryesore që pas tij arritën të bëheshin presidentë të Çekisë.