Donald Trump Jr., djali i kandidatit republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka organizuar një darkë pune me biznesmenë nga Serbia më 23 shtator në Beograd.
Sllavko Cariq, ish-kryetari i bordit ekzekutiv të Erste Bank, konfirmoi se ka marrë pjesë në darkë, ku, sipas tij, temë ishin “investimet dhe atraktiviteti i mjedisit të biznesit në rajon dhe në Serbi nga perspektiva e investitorëve nga Shtetet e Bashkuara”.
Sipas tij, u diskutua lidhur me atë se “cilat janë ngjashmëritë dhe dallimet e investimit në rajonin e Evropës Juglindore dhe në SHBA, cilat janë avantazhet e këtij rajoni dhe si të realizohet potenciali i plotë në bashkëpunimin e ndërsjellë biznesor”.
Partnerja e Donald Trumpit Jr, Kimberly Guilfoyle, publikoi në Instagram një fotografi të tyre nga darka në Beograd.
Trump Jr., është nënkryetar ekzekutiv në Trump Organization.
Në këtë kompani përfshihen qindra firma dhe partneritete që zotërojnë ose menaxhojnë ndërtesa biznesi, hotele, kulla rezidenciale, klube golfi, të drejta të markës, marrëveshje të licencimit dhe pasuri të tjera në mbarë botën, raporton REL.