Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Altin Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si Qeveria në detyrë po e prezanton Ligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Duke e quajtur këtë qasje si manipulim të qëllimshëm të opinionit publik, Krasniqi – i cili është djali i Jakup Krasniqit, i mbajtur në paraburgim në Hagë – theksoi se Qeveria po zbaton një detyrim ligjor dhe jo një akt vullneti politik, siç po tentohet të paraqitet.
“Ligji për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara është miratuar më 3 gusht 2015 dhe është shpallur me Dekret Presidencial nga Presidentja e atëhershme, Atifete Jahjaga, më 20 gusht 2015,” ka shkruar Krasniqi, transmeton KlanKosova.tv.
Ai theksoi se Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po zbatojnë një obligim ligjor. “Prandaj, është e qartë se Qeveria në largim, bashkë me Ministrinë e Drejtësisë, nuk po bën asgjë më shumë se detyrën ligjore që i takon,” tha ai.
Sipas Krasniqit, çdo tentativë për ta shfaqur këtë si ndihmë të veçantë është “përpjekje për të mbuluar dështimet reale të qeverisjes”. Ai e cilësoi këtë qasje si një strategji për të fituar kapital politik në prag të zhvillimeve të reja.