Në mesin e qindra kadetëve të rinj që iu përgjigjën aksionit për dhurim vullnetar të gjakut në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike ishte edhe djali i rreshterit hero të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili së bashku me kolegët e tij dha kontribut për pacientët në nevojë.
Në total, 298 kadetë të rinj policorë, të cilët aktualisht janë duke vijuar trajnimin bazik në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, si dhe pjesëtarë të stafit policor, dhuruan gjak për të ndihmuar pacientët që kanë nevojë për transfuzion.
Prania e djalit të Afrim Bunjakut në këtë aktivitet mori vëmendje të veçantë. Babai i tij, rreshteri i Policisë së Kosovës, u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke mbrojtur rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit.
Policia e Kosovës bëri të ditur se interesimi për t’iu bashkuar aksionit ishte i madh dhe se ky aktivitet synon të promovojë humanizmin, solidaritetin dhe përgjegjësinë qytetare tek gjeneratat e reja të policëve.
Sipas njoftimit, aksione të tilla organizohen rregullisht, veçanërisht gjatë periudhës së verës kur nevojat për rezerva të gjakut janë më të mëdha. Personeli policor vazhdon të jetë i gatshëm të përgjigjet edhe në rastet urgjente kur kërkohet ndihmë për sigurimin e dozave të gjakut për pacientët.