Në kuadër të përpjekjeve për ndërgjegjësimin e shoqërisë kundër dhunës në baza gjinore, tashmë është bërë traditë që edhe Republika e Kosovës ta shënojë fushatën “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Me rastin e hapjes së kësaj fushate Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier nëpërmjet një postimi ka deklaruar se “parandalimi dhe reagimi ndaj dhunës me bazë gjinore, është element kyç, përkushtimi i qeverisë amerikane për promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe përmirësimin e mundësive të barabarta dhe barazisë gjinore”.
Më tutje ai ka shtuar se “hulumtimet tregojnë se shumë njerëz në Kosovë, vazhdojnë të besojnë se dhuna në familje është çështje private, që duhet të zgjidhet brenda familjes”. Kurse sipas organizatave të shoqërisë civile që merren me mbrojtjen viktimave nga dhuna në familje thuhet se në Kosovë “ shpesh viktimat kërkojnë ndihme vetëm pasi kanë vuajtur për një kohë të gjatë, dhe se raportimi i rasteve të dhunës në familje ende është tepër i ulët”.
Por çka është saktësisht kjo fushatë?
Në një interpretim për rëndesën e kësaj date Avokati Ardian Bajrkatari ka pohuar se “25 Nëntorin, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 1999 e caktoi si Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, ditë në të cilën fillojnë aktivitetet në kuadër të kësaj fushate dhe përfundon në 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, qëllimi i të cilës është që të organizohen aktivitete për ndërgjegjësimin e publikut rreth fenomenit të dhunës ndaj grave”.
Në këtë kontekst, Republika e Kosovës e ka miratuar një infrastrukturë legjislative tejet solide më qëllim të parandalimit të këtyre akteve. Kështu, legjislacioni ynë penal, ka ashpërsuar sanksionet dhe masat për kryesit e veprave të tilla penale, si dhe ai procedural penal, përcakton afate më të shkurtra me qellim të trajtimit me urgjencë të fenomeneve të tilla negative|” .
Në këtë mënyrë dënimet dhe masat në kodin penal, për kryesit e veprave penale të dhunimit dhe dhunës në familje:
– ndalimi i blerjes në ankande të shitjes së pronave publike, aseteve publike apo licencave që jepen nga një autoritet publik në çfarëdo shërbimi nga tre (3) deri në dhjetë (10) vjet;
– ndalimi i aplikimit si investitor strategjik dhe çdo formë tjetër e përfitimit nga privilegjet që jepen nga legjislacioni në fuqi nga tre (3) deri në dhjetë (10) vjet;
– ndalimin e drejtës së kandidimit në çdo pozitë publike nga tre (3) deri në dhjetë (10) vjet;
– ndalimin e punësimin në sektorin publik në të gjitha nivelet nga një (1) deri në pesë (5) vjet, personit i cili shpallet fajtor për veprën penale të dhunimit;
– ndalimin e të drejtës në drejtimin e automjetit të çdo lloj kategorie, nga një(1) deri në pesë (5) vjet, personit i cili nëse shpallet fajtor për veprën penale të dhunimit në kohën kur ka qenë duke e ushtruar profesionin e vozitësit.
Krahas këtyre masave është riformuluar vepra penale e Ngacmimit Seksual, ku ndër të tjera është ashpërsuar sanksioni penal për këtë vepër penale, veçmas kur kryhet me përdorim të armës, mjetit të rrezikshëm ose ndonjë sendi tjetër që mund të shkaktojë lëndim të rëndë trupor apo dëmtim të rëndë të shëndetit mendor apo fizik, kryesi dënohet me burgim prej pesë (5) deri në dhjetë (10) vjet, ndryshe nga një (1) deri në pesë (5) vjet, siç ka qenë më parë, si dhe janë shtuar si vepra të reja penale Testimi i virgjërisë si dhe Dhuna kundër grave në jetën publike.
Afatet në kodin e procedurës penale për këtë kategori të veprave penale:
– hetimet si rregull duhet të përfundohen brenda afatit prej një (1) viti, nga data e fillimit të tyre, e në rrethana të ndërlikuara, mund të zgjasin edhe për gjashtë (6) muaj;
– Kurse shqyrtimi gjyqësor, kur ai mbahet para gjyqtarit të vetëm gjykues, duhet të përfundohet brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh, e në rastet kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të përfundohet brenda nëntëdhjetë (90) ditësh.
Mirëpo, krahas përmirësimit dhe avancimit të legjislacionit pa dyshim se sfidë mbetet zbatimit sa më efikas i tij.
/TV Arbëria